Maqedonia “e mbyllur”

April 23, 2020

|

Language:Macedonian

Maqedonia “e mbyllur”

Nuk kishte ndodhur më parë që në Maqedoninë njerëzit të mbylleshin për mbi 60 ose mbi 80 orë. Kjo ndodhi për herë të parë nga 10 prilli, e premte prej orës 16.00 e deri të hënën 13 prill, në ora 05.00 dhe nga 17 prilli prej orës 16.00 e deri të martën 21 prill në 5 të mëngjesit. Karantinat ishin pjesë e masave për tu mbrojtur nga koronavirusi. Por si ishte jeta e ngujuar e njerëzve në Maqedoninë e Veriut?

Pjesëmarrësit e Rrjetit të Gazetarëve të Rinj, kanë raportuar e dokumentuar nëpërmjet fotografive jetën në karantinë në vendbanimet e tyre. Gazetarët e rinj janë nga qytete të ndryshme të vendit dhe të gjithë bashkë japin një pamje unike shumë dimensionale të „mbylljes” së vendit:

Rita Syla, është nga Tetova. Ajo fotot i ka bërë në rrugën e saj „Ilindenska” në qendër të qytetit.

1: Ballkoni që zakonisht është me tesha, këtë herë ishte i mbushur me maska. „Do të na duhen për ditë më të mira… tani për tani edhe atyre iu duhet pak pushim”, kish thënë nëna e Ritës që i kishte varur në tel!

2: „Hippie” ananasi shtoi ngjyra dhe gjallëri pozitive në rrugën e fëmijërisë të Ritës që tani është bosh. Kështu ishin edhe rrugët e tjera të qytetit të Tetovës.

3: Joga në karantinë. Mund të jesh i izoluar brenda katër mureve të dhomës, por duke shpërthyer në brendësinë e mendjes dhe shpirtit!

4: Një ditë para „çlirimit” nga karantina e parë. Liria është e rëndësishme, Rita bëhet gati të dalë nga shtëpia, 24 orë më parë!

6: Edhe Buddy është në karantinë. Qeni është gjithë trishtim se s’mund të dalë nga shtëpia. „Mos u shqetëso Buddy, ne të gjithë jemi bashkë në këtë situatë të trishtë!”

7: Frigoriferi i Ritës vërtet e ka këtë mbishkrim „Stay away from the fridge”! (Më larg frigoriferit) „Unë vazhdoj të ha, por i vetmi dallim është që kur afrohem pranë frigoriferit ky shënim më bën të qesh”, thotë Rita. Dhe po, na duhen sa më shumë buzëqeshje në këtë kohë

Por si duket karantina e gjatë në fshat ku njerëzit jetojnë në shtëpi e kanë oborre e bahçe. Këto pamje i sjell Rita Behadini, nga fshati Sllatinë në Tetovë.

1: Në fshat distanca fizike mbahet natyrshëm dhe prandaj dhe kryhen edhe punët pranverore. Sllatinë, Tetovë.

2: Duke kryer punët mund të bëhet edhe shaka, por gjithnjë me distancë të mjaftueshme fizike. Dy familjarë që luajnë, në fshatin Sllatinë të Tetovës.

3: Oborri krijon mundësinë e përgatitjes edhe të ushqimeve tradicionale me mjete tradicionale. Flia në saç është mrekulli!

4: Të gjithë drejt flisë tani pa distancë fizike. Por kuptohet pasi janë larë duart.

Kumanova është një nga qendrat e betejës me koronavirusin. Lutfie Nuhiu sjell atmosferën në qendër të qytetit.

1: Rruga „Tërst” në qendër të Kumanovës, asnjëherë s’ka qenë kaq bosh në mes të ditës.

2: Rruga „11 Tetori”, gjithashtu në qendër të Kumanovës, është pa njerëz e makina.

3: Edhe pse në qendër të Kumanovës, jashtë kanë mbetur vetëm kafshët.

Po periferia? Albërie Xhemaili po nga Kumanova, por nga periferia, me fotot e saj sjell një pjesë të karantinës kumanovare.

1: S’mund të shkohet jashtë, por mund të shkohet lartë. Një familje në „piknik” për karantinë në tarracën e pallatit. Fotot është bërë në lagjen „Konjar i poshtëm”.

2: Fëmijët në oborr përballë rrugës bosh. Edhe ata janë të habitur se ku janë njerëzit e tjerë të lagjes që ka plot lëvizje. Foto është bërë në lagjen „Konjar i poshtëm”.

3: Macja në karantinë. Kur s’lëvizin njerëzit, s’lëvizin as kafshët!

4: Qeni në karantinë. Kur s’lëvizin njerëzit, s’lëvizin as kafshët!

5: Pejsazhi nga dritarja, ku lulet janë zëvendësuar me mjetet për pastrim.

6: Në oborr, por gjithçka përreth pa zhurmat e përditshmërisë. Gjithçka bosh e pa njerëz, si në Kumanovë edhe kudo.

Shkupi, jo vetëm kryeqytet, por është edhe vendbanimi me numrin më të madh të banorëve në një vend në Maqedoninë e Veriut. I karakterizuar me lagje e komuna me gjeografi të ndryshme, ja si dukej karantina. Ardi Zhuta sjell pamjet më emblematike të simbolit të Shkupit, Çarshisë, por pa njerëz si asnjëherë më parë.

1: Më parë kjo rrugicë e Çarshisë ishte plot jetë. Aromë kafeje të freskët, lokale me ëmbëlsira, dyqane dhe plot lëvizje. Por as ombrellat plot ngjyrë nuk e sjellin dot energjinë pa njerëzit. Foto është bërë në ditën e dytë të karantinës 85 orëshe.

2: Jo vetëm rrugicat, por edhe dyqanet janë bosh. Ky është një dyqan tek rruga e famshme e artarëve në Çarshi. Por tani flori është shtëpia dhe shëndeti!

3: Ky stacion autobusi është nga më të ngarkuarit. Është pranë udhëkryqit tek bulevardi “Krste Misirkov”, por pa njerëz.

4: Udhëkryqi më i frekuentuar që lidh disa anë të Shkupit, si asnjëherë më parë është bosh.

Foto është bërë gjatë karantinës 85 orëshe, kur besimtarët ortodoks festonin dhe Pashkët. Por qyteti është pa njerëz edhe në ditë feste.

Dani Llazarevska, sjell atmosferën në një pjesë të Kisella Vodës, në Shkup. Por atmosfera është e njëjtë, përgjatë gjithë ditës së karantinës.

1: Çdo ditë në ora 8 në Kisella Vodë fillon festa në afërsi të Shkollës fillore “Nevena Georgieva – Dunja”. Nga kati i gjashtë, me zërim të mirë dhe i stolisur me ndonjë stoli nga festat e fundvitit. Për çdo mbrëmje hapja bëhet me të njëjtën këngë – Next time, Dil pak moj Gjurgjë, që paksa edhe në mënyrë metaforike i fton fqinjët të dalin bashkë në dritare e tarraca dhe të zbaviten pak në këto orë melankolike dhe monotone të izolimit kur rrugët janë të zbrazëta dhe pa njerëz.

2: Dielli me sa duket është një nga të paktët për të cilin nuk vlen ndalesa për dalje. Drita dhe moti i ngrohtë shpesh i bën njerëzit që aktivitetet e përditshme, si bisedat e pasdites apo kafetë e mëngjesit, t’i përcjellin nga dhoma e ditës në ballkën.

Por jo të gjitha lagjet e Shkupit ishin të boshatisura. Arta Qerimi sjell pamje nga lagje, ku ka më shumë shtëpi e oborre e në rrugët e të cilave fëmijët e të rinjtë kanë dalë para shtëpive të tyre.

1: Në lagjen „Serava” thuajse në qendër të Shkupit, komuna e Çairit, pothuajse asnjëherë nuk ka qetësi. Gjatë karantinës 60 orëshe, të rinjtë dhe fëmijët e shfrytëzonin kohën e mirë jashtë duke luajtur para shtëpive të tyre.

Ivana Nasteska ndërkohë sjell pamje po nga Shkupi, por nga komuna Karposh. Edhe këtu të rinjtë me vështirësi përballen me ndalesat për të lëvizur, por kanë gjetur mënyra të tjera.

1: Edhe pse duket se të rinjtë i kënaqen diellit, është e qartë se ata nuk janë të lumtur në këtë izolim. Foto është shkrepur rrugën „Klenoec” lagjja „Vllae” e komunës Karposh.

2: Edhe pse nuk u pëlqen shumë që duhet të rrinë në shtëpi, gjatë orës policore të rinjtë nuk mund t’i rezistonin motit të mirë, e për rekreacion e shfrytëzuan çatinë e pallatit ku jetojnë. Foto është bërë në rrugën „Klenoec“, lagjja „Vllae” e komunës Karposh.

3: Por, kur vjen nata, përveç makinës së policisë, në rrugën „Klenoec“, lagjja „Vllae” e komunës Karposh nuk ka kurrëfarë lëvizje të qytetareve.

Maja Terzieva na sjell atmosferë dhe rrëfime nga lagjet e Shkupit “Gjorçe Petrov” dhe “Hrom” ku gjithashtu ka ndaluar edhe jeta edhe lëvizjet.

1: Ora e parë policore në Shkup. Rruga „Gjorçe Petrov“ e zbrazët si kurrë më parë.

2: Rruga „Isaija Mazhovski“ në Shkup, gjatë karantinës 62 orëshe, lagjja „Hrom“. Ndërkohë që fqinjët që jetojnë nëpër shtëpi bëjnë zgarë në oborre, për njerëzit që jetojnë në pallate kjo gjë është një mision i pamundur.

3: Nuk kanë oborre për zgarë, por pak relaks në karantinë mund të bëhet edhe në katin e 12.

4: Në intervalin kohor nga ora 20:00 deri në orën 20:30,gjatë orës policore lejohet shëtitja e kafshëve shtëpiake. Gjatë kohës që të gjithë të tjerët duhet të rrinë mbyllur, në shtëpi apo pallate, vetëm ata që kanë kafshë mund të shijojnë pak „liri“.

Por nëse kemi një përshtypje të kryeqytetit nëpër komuna e lagje, si ishte izolimi i gjatë në qendër të Shkupit? Dorina Ajdini, e cila jeton në qendër sjell atmosferën.

1: Është rekord kohëzgjatja pa vetura që e ka parë ndonjëherë e ashtu quajtura zonë „Rekord” në qendër të Shkupit.

2: Në rrugën kryesore „Makedonia”, mu në zemër të Shkupit, para hyrjes të një pallati, është vetëm qeni endacak, por jo dhe njerëzit.

3: Asnjë makinë e lëvizje edhe para Muzeut të Qytetit të Shkupit. Si ora e ish stacionit të trenit në qendër të kryeqytetit, që ka ngecur që nga tërmeti i vitit 1963, ashtu është ndjesia edhe për kohën gjatë karantinës. Ka ngecur e nuk lëviz.

Edhe Teuta Buçi ka kapur pamje nga vende emblematike të kryeqytetit, të cilat asnjëherë nuk janë bosh.

1: Sheshi Maqedonia është qendra e Shkupit. Ka parë lëvizje pa pushim, nga ato historiket, ku është shpallur pavarësia, vrasje, protesta, por edhe festa e koncerte. Por asnjëherë s’ka qenë bosh si tani.

2: Kjo është rruga „Cvetan Dimov” një nga kryesoret në komunën e Çairit. Edhe kjo rrugë asnjëherë s’është bosh, madje as natën. Por kjo pamje është „historike” sepse kush e di se kur do përsëritet!

Shefkije Alasani, gjatë ditëve të mbylljeve të mëdha ishte në Strugë, por ajo na sjell pamje nga qyteti dhe fshati, përveç Strugës edhe nga Dollogozhda, fshat 11 kilometra larg qytetit. Ja si ishte jeta në këto dy vendbanime:

1: Shëtitorja e njohur buzë lumit Drin i Zi në Strugë. Edhe pse një ditë e bukur me diell, kjo ishte pamja. Struganët nuk mbajnë mend, se gjatë një fundjave të ngrohtë pranvere shëtitorja rreth Drinit të Zi të ketë qenë komplet e zbrazur. Fotografia është realizuar më 12 prill, rreth orës 13.00.

2: Rruga „Marks Engels” është kryesorja e qytetit që gjendet në qendër të Strugës. E tillë plotësisht e zbrazur mund të shihet vetëm gjatë një izolimi në gjendje të jashtëzakonshme. Qetësia absolute mbase u shijon veç banorëve në shtëpitë e tyre që se kanë parë asnjëherë rrugën bosh, madje as natën.

3: Rrugët ishin bosh edhe në fshat. Pasi kanë kaluar 50 orë nga izolimi, me sa duket është bërë i pa përballueshëm veç për disa fëmijë. Fotografia është realizuar më 12 prill rreth orës 18.00 në fshatin Dollogozhdë.

4: Një ditë e zakonshme gjatë karantinës në fshat kalohet duke u kujdesur për oborrin dhe duke e shijuar atë familjarisht. Fakt interesant është se prindërit dhe gjyshërit janë njerëzit më të lumtur me vendimin për të pasur orë policore. Sipas tyre kjo është mënyra e vetme që fëmijët të rrinë në shtëpi dhe kështu të gjithë mund të kalojnë më shumë kohë bashkë. Fotografia është realizuar pas 24 orësh karantinë, në fshatin Dollogozhdë të Strugës.

5: Karantina i ka bërë të gjithë njerëzit që t’i përkushtohen kuzhinës dhe të përgatisin specialitete nga më të ndryshmet. Izolimi 61-orësh bëri që e diela e shumë familjeve të kalojë duke përgatitur ushqime tradicionale. Fotografia është realizuar në fshatin Dollogozhdë.

Në, Shtip s’ka pasur asnjë lëvizje as në qendër e as në rrugët që lidhin lagjet e ndyshme. Teodora Noveska e shfaq këtë qytet të boshatisur, por me lëvizje të pakta të atyre që kanë leje për këtë.

1: Bosh është një nga udhëkryqet më të frekuentuar në Shtip. Banorët e lagjes „Senjak“ për vite me radhë po presin një zgjidhje infrastrukturore për këtë udhëkryq kritik ku ndodhin shpesh aksidente në trafik.

2: Një nënë dhe fëmija e saj me pengesa në zhvillim shëtisin nëpër rrugët e zbrazura të Shtipit gjatë orës policore. Qeveria lejoi lëvizjen për këtë kategori të qytetareve nga ora 19 deri në orën 20 gjatë ditëve të javës, dhe nga ora 11 deri në orën 13 gjatë fundjavës.

Renata Pençova sjell pamje nga një lagje periferike e Shtipit, ku kush e di sa foto të bëhen, pamja do ishte e njëjta: Rrugët bosh!

1: Në këtë foto është rruga „Republika e Krushevës“, një nga rrugët më të frekuentuara që i lidh lagjet „Babi“ dhe „Duizlak“ në komunën e Shtipi. Këtë fundjavë ishte fare bosh.

Lubica Ivanova sjell pamjet nga qyteti i Strumicës. Nga pamjet shihet se edhe atje qyteti ka heshtur dhe rrugët kanë mbetur bosh. Por ditët nuk kalojnë edhe aq lehtë, në këtë situatë tejet të pa zakontë.

1: Në rrugën „Dërvarska“ në Strumicë, në kohën e koronës, jeta, dashuria dhe çdo gjë tjetër zhvillohet përmes telave.

2: E shtunë, 11.04.2020 heshtje e plotë. Zhurma e fotoaparatit e joshi fqinjin e Lubicës që të dalë në ballkën. „Thashë se mos ndodhi ndonjë gjë“ tha dhe u fut brenda përsëri… Kaq e madhe është qetësia në rrugën „Dërvarska“ në Strumicë.

3: E diel, 12.04.20 dëgjohet vetëm zhurma që bën ky zbukurim, i vendosur tek saksia në oborr, e që lëkundet nga era pranverore. Rruga „Dërvarska“ në Strumicë.

4: Karantina 62 orëshe, kaluan 52 orë, nuk ka shumë çka për të bërë. Film apo një libër? Si alternativë është libri „Viti kalon, dita kurrsesi“ – e Zharko Lausheviq. Kjo foto është bërë në rrugën „Dërvarska“ në Strumicë, por libri dhe titulli i tij korrespondon me situatën në të gjithë vendin. „Ai vet e humbi lirinë, armiku ynë është i padukshëm“.

Masat e rekomanduara për mbrojtje nga koronavirusi zbatohen thuajse nga të gjithë, por ka edhe nga ato që s’kanë kujdes. Evi Shkopi sjell pamje që nuk do duhej t’i shihnim.

1: Dorezat janë gjëja më e kërkuar në këtë periudhë, por kur ato hidhen në rrugë, tregon se jo të gjithë kanë kujdesin e duhur ndaj koronavirusit.

2: Edhe maskat janë tejet të kërkuara, madje në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, ato do jenë të detyrueshme, por hedhja në rrugë tregon mospërgjegjësinë e disa qytetarëve.

3: Pastërtia do vazhdojë të jetë prioritet edhe pas përfundimit të masave të jashtëzakonshme, por duket se do duhet edhe më shumë edukim dhe përgjegjësi që ajo të mbahet kudo, si në shtëpi ashtu edhe nëpër rrugë!

Jeta në karantinë pushoi jetën jashtë, por si ishte karantina brenda shtëpive, si e kaluan njerëzit dhe familjarët? Këtë vizion e sjell Ardit Ramadani nga familja e tij dhe e fqinjëve në Tetovë.

1: „Uno” është lojë me karta që e luajnë të gjithë, por gjatë karantinës ishte gjyshi ai që insistoi të luajmë. „Më pëlqen shumë ta shoh lumturinë në sytë e gjyshit”, thotë Arditi.

2: Zakonisht darka shtrohet në ora 19:00, por për shkak të orës policore çdo orar ka ndryshuar. „Kam filluar të falënderoj mamin për çdo ushqim që përgatit, sepse para kësaj këtë e shihja si „obligim” të sajin, e jo si nder apo formë e saja për të shprehur dashurinë”, thotë Arditi.

3: „Zakonisht, ditët e diela i kaloj në dhomën time me pizhame dhe me një libër në dorë. Këtë herë ishte ndryshe, u zgjova me tingujt e kitarës. E diela filloi me muzikë në ballkon, disa nga fqinjët u argëtuan kurse unë e kuptova se sa shumë kisha nevojë për muzikë në këtë periudhë”, tregon Arditi.

4: Në mes të karantinës 85 orëshe ata që kanë oborr e përdorin për të bërë sport. „Fillova të bëj disa ushtrime, por ishte ide e keqe, e gjitha zgjati vetëm 20 minuta sepse karantina më shumë se një muaj më kishte marrë kondicionin”, tregon Arditi.

5: „Dita e fundit e karantinës 85 orëshe, e hënë, dita e fillimit të javës kurse gjithçka që unë aktualisht dëshiroj të bëj dhe kam vullnet është të lexoj libra. Por dëshiroj që edhe kjo gjendje të përfundojë sa më parë”, thotë Ardit Ramadani, studenti që dha një pamje të karantinës brenda shtëpisë.

Karantinat e mëdha, 61 orëshe dhe 85 orëshe për dy fundjava me radhë i përjetuan të gjithë, por studenti Adem Jashari ishte i vetmi nga grupi i gazetarëve të rinj që u vetëizolua dy javë. Ai u kthye nga Gjermania dhe meqë ishte vend i prekur nga koronavirusi duhej të izolohej. Për fat të mirë ai nuk u prek nga virusi, por sjell nëpër foto eksperiencën se si e përjetoi karantinën dhe vetëizolimin në fshatin Çellopek të Tetovës, nga ku është:

1: Me lule trëndelinën luhet „më do”, „s’më do”. Por kjo lule dhe në prapavijë rruga e fshatit Çellopek të Tetovës thotë se me fatin nuk luhet. Askush nuk duhet t’ia lërë në dorë fatit prekjen nga virusi. Vetëizolimi dhe karantina tregojnë se s’është aq e lehtë loja „më do”, „s’më do” jeta!

2: Mund të jesh dhe në fshat, por kufiri për të dalë është deri te dera.

3: Koha në vetëizolim apo dhe karantinë kalon në përpjekje për ta kaluar ato me hobi që kemi. Por jo gjithmonë ka përqëndrim.

4: Megjithatë, për çdo gjë duhet shpresë, e shpresa mbahet me dashuri. Si dashuria në kohën e koronës, e gjyshërve të Adem Jasharit.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.