VULLNETARIZMI NË VEND NUK VLERËSOHET DHE KEQPËRDORET

March 26, 2022

|

Language:Macedonian

VULLNETARIZMI NË VEND NUK VLERËSOHET DHE KEQPËRDORET

Vullnetarizmi në vendin tonë nuk vlerësohet. Për këtë arsye hasim në interes të ulët për vullnetarizëm dhe rini e cila nuk i njeh të drejtat e veta, bile as si të mbrohet nga shfrytëzimi i mundit të tyre.

“YMCA Bitola” është një nga organizatat që në mënyrë aktive e ruan vullnetarizmin në vend, por pranojnë se mosinteresimi i institucioneve reflektohet në motivimin e qytetarëve për t’u bërë vullnetarë. Biseda me përfaqësuesin e YMCA, Viktor Iliev shpalosi se anashkalimi i këtillë është problem sistemor, ndikimin e të cilit mund ta vërejmë në gjendjen momentale të pandemisë, që edhe më shumë ka përkeqësuar kushtet për vullnetarizëm. Ai më tutje shton se kjo është si pasojë e mospërputhjes së zbatimit të politikave, koordinimit të pamjaftueshëm dhe respektimit të mundit të investuar paraprakisht, si dhe ndryshimet më të fundit të ligjit për vullnetarizëm, që kërkojnë shumë më tepër burokraci që i demotivon organizatat të përfshijnë më tepër vullnetar, nëse do të përfshinin ndonjë. 

“Tek institucionet nuk shohim qëndrueshmëri dhe konsistencë në zbatimin e politikave. Do të gjendet një entuziast që do t'i shtyjë punët dhe kjo do të thotë që institucionet do të mbështeten nga sektori civil, nga shumë vullnetarë që u shtojnë vlerë atyre institucioneve, pastaj do të vijë një tjetër në një funksion të  tillë që nuk do ta njohë atë vlerë dhe gjithë ajo përpjekje do të shkojë kot dhe punët do të dështojnë”, shton Iliev.

Edhe arsimimi i popullatës është ngushtë i lidhur me thelbin e vullnetarizmit dhe përfitimet që një vend mund t’i merr. Duke krahasuar vullnetarët e vendit dhe ata që vizitojnë nga vendet e jashtme, Viktori thotë se dallimi është i dukshëm. Të huajt janë tërësisht të njohur me fushën e vullnetarizmit, që edhe pritet prej tyre dhe organizatës në të cilën përfshihen, ndërsa vullnetarët vendas, për shkak të mungesës së përgatitjes paraprake, të gjitha rregullat i mësojnë në praktikë dhe naiviteti i tyre shpesh keqpërdoret. Vullnetarët aktivë në vend janë po ashtu të vetëdijshëm për këtë situatë, sepse edhe ata në ndonjë moment të caktuar janë ndier të shfrytëzuar. 

Me karrierën e saj si vullnetare që nga ditët e shkollës së mesme, Bojana Paçemska, tani e kupton shumë më qartë nevojën e edukimit të të rinjve për vullnetarizëm për të shfrytëzuar plotësisht resurset për zhvillim të rëndësishëm të vendit. Ajo beson se mënyra më e mirë për të përmirësuar situatën me vullnetarizmin është përqendrimi në përfshirjen e tij në arsimin formal. Këtë e shpjegon me shembujt e ueb portaleve të cilët mbahen nga njerëz vullnetarë dhe që janë në shërbim të qytetarëve për më shumë qëllime por që shuhen për shkak se njerëzit nuk dinë për to dhe prandaj nuk i përdorin.

„...Për të qenë të sinqertë, të duash të gjesh film maqedonas, nuk do ta gjesh, nuk ekziston, nuk e ke në asnjë faqe në internet. Të fillojmë së pari nga kultura, apo?...Te ne, përfundimisht të gjesh informacion, të gjesh fjalor, të gjesh libra është puna më e vështirë që ekziston, sepse akoma nuk jemi digjitalizuar, aspak. Edhe po të shkosh në Kinotekë ta kërkosh filmin, me siguri nuk do ta marrish, të duhet autoritet, të duhet marrëveshje, të duhen kërkesa”, tha Paçemska. 

 Ajo më tej sqaron:

“Mënyra më e mirë për njohjen e nxënësve të shkollave të mesme me njëri-tjetrin apo njerëzit të cilët i kanë si modele, prej të cilëve dëgjojnë më shumë informata, janë profesorët e tyre. Mendoj se duhet të ketë një aspekt të këtij organi apo kësaj ane që të jetë i pranishëm në bankat e shkollës. Pse? Sa më shpesh t'u tregoni njerëzve për këtë, aq më shumë ka gjasa që ata të vijnë në këtë ueb faqe. Po, është mirë të shkohet përmes influenserëve, mediumeve sociale dhe organizatave joqeveritare, megjithatë arsyeja pse këto organizata janë të njohura tek të rinjtë është sepse ato janë të pranishme në bankat shkollore”, shtoi Paçemska.

Vullnetarët që tani janë vetë të përfshirë në organizata mund të bëjnë më shumë krahasime dhe të shohin momentet kur posedimi i më shumë informacioneve do të kishte mundur t’iu ndihmojë që të shmangnin abuzimin me mundin e tyre.

Ajo që është trend gjatë bisedës me vullnetarë është se si kanë ndier “burnout” duke punuar në ndonjë projekt, vullnetarizmin e tyre e kanë ndier më shumë si marrëdhënie pune pa pagesë. Të punuarit përtej kohës së rënë dakord, e cila mund të arrijë deri në 12 orë dhe që mund të shkelet lehtësisht duke praktikuar një marrëveshje gojore, është vetëm një aspekt që na tregon praktikën e vërtetë të organizatave që punojnë me vullnetarë të rinj. Këtë na e vërteton Bojan Ristovski, i cili në përvojën e tij me vullnetarizmin ka pasur mundësinë të jetë edhe në anën e vullnetarit edhe në anën e organizatave që janë përgjegjëse për to.

Përmes projekteve të ndryshme ka vënë re se si angazhimi i vullnetarëve në pozita për të cilat ka njerëz që paguhen është mënyra më e shpeshtë se si organizatat ulin shpenzimet e tyre dhe shfrytëzojnë naivitetin e vullnetarëve të rinj, të cilët janë të kënaqur me përfitimet bazë si fitimi i një bilete për festival për të cilin vetë punojnë.

“Nëse ke përfitim më të madh nga ajo se sa duhet që të punosh, atëherë është në rregull, nëse ke të njëjtin përfitim me atë që duhet të bësh, sërish është në rregull, por nëse punon, kontribuon dhe shton vlerë, ndërsa përfitimet ulen, atëherë nuk bën... Ka raste në të cilat vullnetarët keqpërdoren dhe vendosen në pozita të cilat, zakonisht, nuk janë fizikisht të vështira por janë me kohëzgjatje mbi 8 orë. Për ata pozita do të merrnin, shembull, nga një deri në dy mijë denarë, ndoshta edhe më shumë, nëse do të ishin të angazhuar profesionalisht”, thotë Ristovski.

Sipas statistikave të fundit të kryera nga Enti shtetëror i statistikave në vitin 2015, vërehet se rritja e vullnetarizmit është dukshëm e vogël dhe është ende larg një burimi me ndikim në vend. Me vetëm 10.95 orë punë vullnetare në vit ose 1.8 minuta në ditë për një banor, vetë shifrat janë dëshpëruese.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila kujdeset për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në vend, na njoftojnë se kanë shërbim të organizuar për mbrojtje juridike falas për të drejtat e marrëdhënieve të punës, në të cilin përfaqësuesit ligjorë të angazhuar nga LSM i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në përputhje me ligjin për mbrojtjen e punëtorëve lidhur me të drejtat e tyre të shkelura të marrëdhënieve të punës, por që deri më tani nuk u janë drejtuar vullnetarë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të tyre të rregulluara me Ligjin për vullnetarizëm.

LSM thekson nevojën për:  

  • Rregullimin e detyrimit për marrëveshje me shkrim për vullnetarizëm mes vullnetarit dhe organizatorit të punës vullnetare
  • Parashikimin e ndalimit të çdo forme të diskriminimit mbi të gjitha bazat e diskriminimit në përputhje me Ligjin e ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
  • Vendosjen e mbrojtjes së vullnetarëve nga ngacmimi. 
  • Kompensimi i shpenzimeve të ushqimit të jetë në lartësi prej më së shumti 20% të rrogës mesatare mujore për punonjës, e paguar për vitin e kaluar, ndërsa shpenzimet e transportit në vlerën e shpenzimeve faktike të transportit publik (sipas dispozitave të LMP)
  •  Vullnetari duhet të përfshihet në trajnimet për SSHP dhe trajnime të tjera në të cilat janë përfshirë edhe punonjësit e organizatorit.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk kemi marrë përgjigje për pyetjet e parashtruara në adresë të tyre. Pyetjet u referoheshin aktiviteteve të nevojshme dhe ndryshimeve ligjore për përmirësimin e gjendjes me vullnetarizmin dhe të drejtat e vullnetarëve.

Me pakujdesinë ndaj zhvillimit të vullnetarizmit, shpresa e vullnetarëve dhe organizatave për zgjerimin dhe përmirësimin e cilësisë së tij pothuajse nuk ekziston nëse nuk hyjnë në fuqi tani reformat e reja, që do të ndryshonin imazhin e vullnetarizmit në dhjetë vitet e ardhshme.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in