Thahen platformat “City Tree” për shkak të mosmirëmbajtjes

June 25, 2021

|

Language:Macedonian

Thahen platformat “City Tree” për shkak të mosmirëmbajtjes

Katër vite pas vendosjes, platformat ekologjike “City Tree” në Shkup dhe Tetovë kanë mbetur të shkreta. Bimët që duhej të përmirësonin cilësinë e ajrit për banorët e dy qyteteve janë tharë, ndërsa teknologjia brenda këtyre platformave është shkatërruar.

Nga shoqata “Eko-Svest”, si bartës të projektit, thonë se nuk kanë kompetenca lidhur me këto instalime, ndërkaq theksojnë se pronar të këtyre platformave llogariten Komuna e Tetovës dhe Qyteti i Shkupit.

“Ata kanë marrë informacion zyrtare nga ne lidhur me arsyet që kanë shkaktuar tharjen e bimëve, mjetet financiare të nevojshme për të eliminuar defektet, kthimin e instalimeve në funksion si dhe për efektet e instalimeve në cilësinë e ajrit lokal”, thonë mes tjerash nga “Eko-Svest”.

Nga Qyteti i Shkupit pranojnë se përgjegjësinë për mirëmbajtjen e eko-drurit në Shkup e ka ndërmarrja “Parqet dhe Gjelbërimet”, ndonëse pohojnë se bimët nuk janë ndërruar asnjëherë pas vendosjes fillestare të platformës.

“Në periudhën nga qershori deri në gusht të vitit 2017, për shkak të mënyrës sesi është dizajnuar vetë instalimi, që të mbushet me ujë përmes rezervuarit një herë në javë, në periudhën kur cisterna e vetme në pronësi të N.P. “Parqet dhe Gjelbërimet” ishte në defekt dhe në kombinim me valën e nxehtësisë që kishim në atë periudhë për më pak se një muaj, bimë – myshqet u thanë. Që nga shtatori i 2017-ës, bimët brenda instilacionit nuk janë ndërruar”, deklarojnë nga Qyteti i Shkupit.

Komuna e Tetovës thotë se obligimin e vetëm që ka pasur ky institucion, respektivisht mbushja e rezervuarit me ujë është kryer vazhdimisht, por që platforma ka pësuar defekt. Sipas tyre për këtë është informuar organizata “Eko-Svest”, kurse autoritete lokale janë në pritje të pjesës së nevojshme për riparim të defektit.

“Pas disa muajsh, edhe përpos furnizimit me ujë, ishte evidente tharja e bimëve, dhe Komuna e Tetovës për këtë fenomen informoi shoqatën “Eko-Svest”, e cila angazhoi ekspertë, të cilët erdhën në përfundim se behet fjalë për defekt të pompës së ujit e cila transferon ujin me sistemin pikë me pikë nga rezervuari deri tek pjesët e gjelbëra. Komuna e Tetovës është në pritje të furnizimit të pjesëve nga ana e shoqatës “Eko- Svest`”, dhe më pas do të mbulojmë edhe shpenzimet për furnizimin e bimëve të reja me qëllim revitalizimin e kopshtit vertikal”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Platformat “City Tree” është donacion i Ambasadës së Gjermanisë i ndërmjetësuar nga “Eko-Svest” në Shkup si dhe disa kompanive vendore. Nga Ambasada nuk pranojnë të prononcohen zyrtarisht duke thënë se nuk mbajnë përgjegjësi për mirëmbajtjen por shpresojnë që së shpejti të gjendet zgjidhje mes komunave dhe shoqatës “Eko-Svest” për revitalizimin e platformave.

Të dy platformat kushtojnë rreth 50 mijë euro. Tablotë ekologjike përbëhen nga bimë dhe gjallesa të tjera botanike që përmes teknologjisë kanë për qëllim mbledhjen e pluhurit dhe pastrimin e ajrit në ambiente urbane. Sipas njoftimeve zyrtare, ky mjet brenda vitit ka kapacitet për të neutralizuar 240 ton dyoksid të karbonit, gjegjësisht të kompensojë ndotjen që e prodhojnë 417 automjete, ndërsa prodhon oksigjen sa 275 dru.

Ndërkaq, Shkupi dhe Tetova shpesh kryesojnë listën e qyteteve më të ndotura jo vetëm në vend por edhe në të gjithë botën.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in