Shkollat fillore “vuajnë” për kuadro adekuate në lëndë të caktuara

March 26, 2022

|

Language:Macedonian

Shkollat fillore “vuajnë” për kuadro adekuate në lëndë të caktuara

Shumë shkolla fillore urbane si ato rurale ndjejnë dukshëm mungesën e kuadrove profesionist sa i përket lëndëve ekzakte si: matematikë, fizikë, kimi dhe informatikë si dhe në grupet klasore. Në disa raste këto mungesa mbulohen nga profesor të lëndëve të tjera duke ligjëruar këto shkenca ekzakte, kurse në rastet tjera profesorët vazhdojnë marrëdhënien e punës në vend që të pensionohen. 

Shkolla fillore “Liria” në fshatin Jabollçishtë të komunës Çashkë të Velesit rrezikon të mbetet pa kuadër mësimor. Janë të shumta lëndët ku ka mungesë të mësimdhënësve, qoftë në grupin klasor poashtu edhe në atë lëndor. Drejtori i shkollës Jusuf Ahmeti apelon mësimdhënësit e papunë të paraqiten në këtë shkollë, që sipas tij, shkolla plotëson të gjitha kushtet për zhvillim të mirëfilltë të procesit edukativo arsimor. 

“Nëse bëjmë një kronologji, shkolla jonë vazhdimisht ka pasur nevojë për mësimdhënës prej komunave tjera dhe ata na kanë ndihmuar. Mirëpo, tash kemi nevojë më tepër dhe fokusin e kemi te shkencat ekzakte, matematikë, fizikë, kimi, informatikë dhe për ciklin e ulët, grupi klasor. Në kuadër të shkollës kemi edhe gjashtë mësimdhënës të cilët vijnë nga komunat tjera, gjegjësisht nga Shkupi dhe Kumanova. Organizimin, udhëtimin prej Velesit deri në fshat dhe banimin brenda javës, prej ditës së Hënë e deri të Premten ne e organizojmë, domethënë banojnë në banesa. Kështu që, me ngrohje, me udhëtim e siguri ua kemi mundësuar si shkollë fillore që t’i kenë kushtet minimum të mira”, thotë Jusuf Ahmeti.

Me të njëjtën problematikë ballafaqohet edhe shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë ku tashmë tre vite marrëdhënien e punës e ka vazhduar arsimtari i fizikës Sali Haskaj. Sipas tij, reformat e gabuara në arsim kanë shkatërruar dhe zbehur vullnetin e nxënësve për lëndët që tashmë po paraqiten deficitare.

“Për fat të keq ne ende punojmë me programin e Kembrixhit që sipas meje është totalisht reformë e gabuar. Ky material është totalisht i dështuar. Jo vetëm që ka shumë gabime nëpër libra por është edhe shumë i thjesht, shumë pak mësojnë nxënësit. Që të jetë materiali i fizikës më interesant për nxënësit, duhet librat e fizikës definitivisht të hiqen prej përdorimit, të përpilohen nga autorë, kemi njerëz të aftë mjaft, të përpilohen lëndë të reja dhe që është kryesorja që të lind dashuria te nxënësit për lëndën e fizikës definitivisht shkollat duhet të pajisen me mjete mësimore dhe me kabinetet e fizikës”, thotë Sali Haskaj.

Shkolla fillore “Dituria” në fshatin Llukar ballafaqohet me ketë mungesë me vite me radhë duke bërë që pjesa më e madhe e mësimdhënësve të ligjërojnë lëndë të cilat nuk janë sferë e studimeve të tyre. Si pasojë e kësaj mungese mësimdhënësi Huzeir Mustafi detyrohet të ligjërojë lëndë të cilat nuk janë sferë e studimeve të tij. 

“Jam i diplomuar në Fakultetin Juridik dhe master i Shkencave Politike, por për më shumë se një dekadë ligjëroj edhe lëndë si gjuha angleze dhe informatika. Këtë punë mundohem ta kryej me nder por që ndihem rehat nuk mund të them, pasi që nuk mund ta jap maksimumin tim”, thotë Huzeir Mustafi. 

Mësimdhënësit e cituar më lart thonë se shumë prej nxënësve nuk e bëjnë dallimin sa i takon cilësisë në mesin e profesorëve që janë të lëndës dhe të atyre që thjeshtë mbulojnë një lëndë të caktuar për shkak të mungesës së kuadrit. Kjo për shkak se shumë prej këtyre nxënësve nuk kanë pasur kurrë një mësimdhënës kompetent për lëndën e caktuar. 

Alba Rustemi është nxënëse e klasës së shtatë e cila. Ajo dhe shumë të tjerë e pësojnë në praktikë nga mungesa e kuadrove për disa lëndë mësimore. 

“Në klasën e shtatë, ndër lëndët e reja kemi edhe atë të biologjisë. Në gjysmëvjetorin e parë kemi humbur shumë orë nga kjo lëndë sepse mësuesi i biologjisë ishte në pushim mjekësor, kishte probleme shëndetësore. Gjatë kësaj kohe askush nuk na ka ardhur në zëvendësim. Na thoshin në shkollë se nuk mund të gjejnë zëvendësim për këtë lëndë, nuk ka mësues të biologjisë”, thotë nxënësja Alba Rustemi. 

Sipas Ministrisë së Arsimit, mungesa e kuadrit në shkolla për lëndë të caktuara është si rezultat i mungesës së investimeve në të kaluarën në fakultete të caktuara.

“Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyror me vite ose 15 vjet ka alarmuar për nevojën e investimeve të caktuara në atë fakultet, për bursa. Tani është dyfishuar numri i studentëve në Fakultetin e Shkencave Matematiko - Natyror, pikërisht në ato drejtime për të cilat kemi nevojë që në të ardhmen të bëhen kuadër mësimor në shkollat fillore. Të gjitha institucionet duhet që me kohë të planifikojnë kuadrin që do të jetë i nevojshëm, jo sot, por pas 10,15.20 ose 30 viteve, sepse ato janë investime strategjike të cilat mundësojnë edhe më tej sistemin arsimor”, deklarojnë nga Ministria e Arsimit. 

Adresuam përsëri pyetje në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për të cilat nuk morëm përgjigje. Pyetjet konkretisht ishin si vijon: 

- Cili është plani afatshkurtër dhe plani afatgjatë i Ministrisë së Arsimit për zgjidhjen e problemit me kuadrot profesionale për lëndë të ndryshme me të cilin përballen shumë shkolla? 

- A posedon ministria ndonjë përllogaritje për atë se sa shkolla përballen me këtë mungesë kuadri dhe përafërsisht për sa mësimdhënës të lëndëve përkatëse ka nevojë, në të gjithë territorin e vendit?

- Sa kohë duhet që të zgjidhet ky problem, duke marrë parasysh se mbulimi i lëndëve të caktuara nga mësimdhënës që nuk kanë përgatitje akademike të asaj lëmie, len pasoja në arsimimin e nxënësve?

Problemi i cili duhet serioz, do të vazhdojë të lejë pasoja edhe më serioze në përgatitjen arsimore të gjeneratave të reja, të paktën edhe për disa vite. 

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in