Ruhuni nga rrezet e diellit, kanceri i lëkurës është i treti për nga numri i rasteve në vend

July 31, 2022

|

Language:Macedonian

Ruhuni nga rrezet e diellit, kanceri i lëkurës është i treti për nga numri i rasteve në vend

Ruhuni nga rrezet e diellit, kanceri i lëkurës është i treti për nga numri i rasteve në vend

Ekspozimi në diell rrit rrezikun nga kanceri i lëkurës i cili është bërë gjithmonë e më i pranishëm tek qytetarët në vend. Arijanita Jusufi, estetiste, thotë që shkaktar të kancerit në masë të madhe janë rrezet ultravioletë dhe se rreziku rritet kur lëkura jonë përjeton një shkallë më të lartë të djegieve.

“Kanceri i lëkurës është rritje jo normale e qelizave të lëkurës, që d.m.th mutacion gjenetik.  80%  shkaktar për këtë janë rrezet ultraviolet të cilat dëmtojnë ADN-në në qeliza, dëmtim i cili me kohën akumulohet dhe rrit predispozitat për mutacione  gjenetike që shkaktojnë kancer të lëkurës. Është fakt se, nëse një person ka kaluar së paku 5 djegie nga dielli në lëkurë i dyfishohet rreziku për kancerin e lëkurës Melanoma”, thotë Jusufi. 

Në këtë rast duhet bërë dallimin me ekspozimin disa minutësh në diell i cili patjetër që ka benefitet e veta, kështu duke përfshirë sintetizimin e vitaminës D që luan rol në shëndetin e eshtrave, çlirimin e hormonit serotonin, apo ndryshe i njohur si hormoni i lumturisë si dhe benefitet për shumë sëmundje, që si trajtim kanë vetë diellin. 

Sipas Jusufit problematika paraqitet në ekspozimin e tepruar në diell nga i cili lirohen dy lloje të rrezeve që kanë pasoja të ndryshëm në lëkurë.

“Nga dielli shpërndahen rrezet ultraviolet, ato të cilat janë përgjegjëse për dëmtimet që ndodhin në lëkurë, këto rreze janë të dy llojeve: rrezet ultraviolet A, të cilat kanë valë të gjata dhe dëmtojnë lëkurën në shtresa më të thella dhe rrezet ultraviolet B, të cilat kanë valë të shkurtra dhe dëmtojnë sipërfaqen e lëkurës. Rrezet ultraviolet A janë shkaktarët për plakjen e parakohshme, kurse rrezet ultraviolet B janë shkaktare për djegien e lëkurës  dhe të dyja së bashku janë shkaktarët e sëmundjeve kancerogjene”, shton Jusufi.

Ekspozimi i tepruar mund të sjell deri në dëmtime të ndryshme të cilat si pasojë pos që kanë anën estetike, kanë edhe paraqitjen e kancerit.

“Dëmtimet nga dielli mund të jenë afatshkurtra, si djegie që paraqitet me inflamacion dhe me shkallë të ndryshme, apo dëmtime afatgjate si: pigmentet, ndryshimet në teksturë, paraqitja e kapilarëve, njollave, etj. Rrezet e diellit shkaktojnë dëmtimin e fijeve të kolagjenit dhe elastinës dhe si pasojë fillon plakja e parakohshme. Te gjitha këto janë efekte negative kozmetike”, shton estetistja Jusufi. 

Dermatologia Lulije Ibraimi Jahja thot që nuk kemi një grupmoshë që është target i këtij lloj kanceri, por raste më të shpeshta shohim te 50-vjeçarët dhe në vende të caktuara në trup.

“Mund të prekë secilën moshë por incidenca më e lartë është nga mosha 50-vjeçare. Vendet ku më shume lokalizohen janë: fytyra, qafa, shpina dhe ekstremitetet, thotë dermatologia Lulije Ibraimi Jahja.

Në bazë të të dhënave në Raportin për kancerin në RMV nga viti 2011-2020 i publikuar nga Instituti për Shëndet Publik i RMV-së nga 6808 raste të kancerit në përgjithësi, 550 raste në vit janë evidentuar si kancer i lëkurës, nga të cilat raste janë shënuar 65 vdekje çdo vit. Rastet më të shpeshta me kancer të lëkurës paraqiten te burrat, me 328 raste çdo vit, kurse 222 raste janë paraqitur te gratë. Në këtë raport qëndron edhe numri i vdekshmërive nga ky lloj i kancerit, kështu 42 vdekje në vit janë shënuar te burrat e sëmurë me kancer të lëkurës, kurse 23 vdekje te gratë.

Kanceri i lëkurës është njëri prej llojeve më të shpeshta të kancerit, kështu në Raportin për kancerin në RMV nga viti 2011-2020 radhitet si i treti. Nga gjithsej 66940 raste me kancer të shënuara në periudhën nëntë vjeçare, 5502 raste i përkasin kancerit të lëkurës duke e radhitur si të tretin pas kancerit të mushkërive dhe gjirit. Nga këto raste, 3281 janë burra të cilët u paraprijnë grave me 1060 raste më shumë, pra në periudhën kohore prej 2011-2020 janë regjistruar 2221 raste të grave me kancer të lëkurës.

Dr. Lulije Ibraimi Jahja tregon llojet e tij si dhe shkallen e rrezikshmërisë të secilës prej tyre.

“Kemi disa lloje të kancerit të lëkurës:

  • Melanoma – është kanceri më i rrallë që prek lëkurën por më i rrezikshmi. Ka potencial të lartë për të metastazuar. Prek të gjitha moshat duke përfshirë edhe moshat e reja. 
  • Karcinoma Bazocelulare - paraqet formën më të shpeshtë, por më pak të rrezikshme. Këto kancere nuk metastazojnë por nëse nuk trajtohen mundet të shpërndahet dhe të bëjë destruksion të indit përreth.
  • Karcinoma spinocelular - kjo paraqet formën e dytë më të shpeshtë të kancerit të lëkurës. Mund të metastazojë në gjëndrrat limfatike dhe organet tjera.
  • Keratosa aktinike - paraqitet tek persona më të moshuar. Është e lidhur me ekspozimin kronik në diell.”

Gjatë bisedës me dermatologen Ibraimi Jahja, ajo na këshillon që të jemi të vëmendshëm me lëkurën tonë dhe vizitat te dermatologu të jenë pjesë e agjendës tonë në rast se shohim ndryshime në lëkurë.

“Kontrolloni lëkuren tuaj një herë në muaj duke filluar nga fytyra, koka, pjesën e përparme të gjoksit, shpinën, ndërmejt gishtërinjëve dhe ekstremitet, nëse vëreni ndryshimin më të vogël në lëkurën tuaj mos e neglizhoni por vizitoni mjekun tuaj dermatolog”, thotë Ibraimi Jahja.

Kanceri i lëkurës, pavarësisht që është shumë i shpeshtë, sërish mund të shërohet dhe RMV-ja i posedon mjetet për kurim të tij, thotë Lulije Ibraimi Jahja.

“Zbulimi i hershëm i kancerit të lëkurës mund të mjekohet. Metodat e shërimit janë: lokale dhe intervenim kirurgjikal. Terapi lokale përdoren: imunomodulator dhe cryotherapi me azot te lëngshëm. Në Republika e Maqedonisë së Veriut gjenden mjetet e nevojshme për trajtimin e kancerit të lëkurës”, thotë Jahja.

Për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit në rast të ekspozimit të tepruar, Arijanita Jusufi na këshillon të përdorim krem kundër diellit por edhe mjete tjera.

“Mbrojtja është shumë e rëndësishme dhe ka një rregull për fotoproteksion të cilën e nisim me përdorimin e përditshëm të  kremrave dhe locioneve me faktor mbrojtës ndaj rrezeve UV. Masa tjera të fotoproteksionit për ditët kur UV indeksi është i lartë janë: shmangia e ekspozimit në diell nga ora 11-16, përdorimi i syzeve të errëta, përdorimi i kapelave, mbulimi i trupit me veshje të lehta ose shami.”

Gjatë bisedës me estetisten, ajo gjithashtu na tregoi që vendosja e kremit të diellit duhet bërë në mënyre të caktuar që të arrijmë qëllimin.

“Çfarë duhet të kemi parasysh për përdorimin e kremit mbrojtës për efekt të plotë:

1. Aplikimi 20 minuta para se të dalim në diell.

2. Aplikimi në buzë, rreth syve dhe rreth veshëve.

3. Përdorimi i SPF-së në çdo kohë për çdo pjesë të ekspozuar në diell.

4. Produkti të jetë UVA dhe UVB mbrojtës.

5. Riaplikimi të bëhet çdo dy orë, nëse jeni në kontakt me ujin çdo dyzet minuta.”

Kontakti jonë me diellin është i përditshëm, me këtë shtohen edhe mundësitë për dëmtimet e ndryshme të lëkurës. Prandaj zbatimi i këshillave dhe udhëzimeve të mjekëve  është kyç për mbrojtje dhe parandalim të çdo pasoje të padëshiruar.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in