Platforma arsimore kombëtare do të mbindërtohet

July 2, 2021

|

Language:Macedonian

Platforma arsimore kombëtare do të mbindërtohet

Te vetëm 15-20 përqind e shfrytëzuesve për të cilët është dedikuar, Platforma arsimore kombëtare ka gjetur zbatim të përditshëm. Mesatarisht, në baza ditore e vizitojnë dhe shfrytëzojnë rreth 30 mijë përdorues, mes të cilëve janë nxënësit e shkollave fillore më të rritur se klasa e tretë, nxënësit e shkollave të mesme dhe arsimtarët, gjegjësisht profesorët e tyre. Deri te këto të dhëna kanë arritur inxhinierët e Fakultetit të shkencave informatike dhe kompjuterike (FSHIK) në fund të gjysmë vjetorit të parë të këtij viti shkollor 2020/2021.

Ato e krijuan platformën për më pak se një muaj, periudhë në të cilën paralelisht vijonin trajnime për punonjësit arsimorë për mbindërtimin e aftësive të tyre digjitale. Koha e shkurtër në dispozicion, më vonë “mori haraçin”, duke detyruar ekipin e FSHIK të bëjë kompromise.

Koha e shkurtër dhe sinkronizimi i papërshtatshëm i të dhënave – sfidë për inxhinierët

“Platforma përbëhet nga më shumë komponentë. Të gjitha janë zgjidhje ekzistuese softueri që ne vetëm i përshtatim. Para së gjithash, këtu janë veglat e Microsoft teams, e mandej veglat e platformës Muddle, të dedikuara për pjesën përmbajtjesore të mësimdhënies, për organizim më të mirë të materialeve që do të përdoren pas mbarimit të orëve përmes internetit. Realisht, ne arritëm që të bëjmë përshtatjen e tërë sistemit, por për shkak të kohës së shkurtër u bënë shumë kompromise dhe supozime, të cilat më vonë shfaqën problemet e tyre. Megjithatë, arritëm t’i tejkalojmë disi”, thotë prof.dr. Boro Jakimovski në deklaratë për PINA.

Sipas profesorit, problemi ishte edhe sinkronizimi joadekuat i të dhënave për atë se ku mësojnë dhe punojnë nxënësit dhe mësuesit, me informacionin në sistemet elektronike të MASH.

“Para së gjithash, edhe pse Ministria ka sisteme elektronike, shkollat janë të obliguara t’i përditësojnë, por në masë të caktuar nuk ishin të përditësuar. Kur kishte testim ekstern, ato ruheshin në një gjendje të mirë, por asnjë sistem tjetër nuk varej prej tyre. Në atë periudhë prej një muaji punonim paralelisht edhe për gjendje sa më të përditësuar të këtyre të dhënave në sistem”, shton Jakimovski.

Promovim pompoz për projekt që nuk i përmbushi pritjet

Hulumtimi i Shoqatës së liderëve për edukim LEAD, gjithashtu thekson përdorimin e dobët të Platformës kombëtare.

“Në fund të gjysmë vjetorit të parë të këtij viti shkollor, kemi kryer një hulumtim kombëtar, i cili tregoi se vetëm 9 përqind e mësuesve përdorën Platformën kombëtare për mbajtje të mësimit, respektivisht, shumica e orëve të tyre u zhvilluan përmes Microsoft teams ose në 67 përqind të rasteve”, thekson drejtori ekzekutiv i LEAD, Ivan Jovanov.

Për përdorimin e ulët tregon edhe kryetari i deritanishëm i Unionit të shkollave të mesme, Blendi Hodai, i cili thotë se institucionet kanë promovuar me shumë pompozitet diçka që, siç thotë, nuk ka funksionuar që nga dita e parë.

“Shteti ynë nuk ka infrastrukturë digjitale të zhvilluar për të krijuar një platformë në të cilën do të kyçen 150.000 nxënës. Dështimi i Platformës kombëtare vetëm se dëshmoi se sa të paafta janë institucionet shtetërore për menaxhim me procesin arsimor në kohë pandemie”, thekson Hodai për PINA.

Me një dozë kritikë për institucionet e sistemit është edhe Ivanov, i cili thotë se për dallim nga shoqëria civile e cila lehtë përshtatet me ndryshimet, institucionet e sistemit janë të “ngathëta”. Ai konstaton se para krizës mësimdhënësit nuk kanë pasur trajnime për shkathtësi digjitale, e kur ka ardhur koha për krijim të platformës për mësim nga largësia, nuk është dhënë koha e mjaftueshme për të krijuar një sistem të përshtatshëm me karakter të ndërlikuar.

Hulumtimi i LEAD vetëm e tregon atë për të cilën dëshmojnë edhe vetë arsimtarët dhe nxënësit në debatet në rrjete sociale. Pjesa më e madhe e tyre nuk mund të kyçen në Platformën kombëtare ose po e njëjta bie pasi të jenë kyçur. Megjithatë, sipas matematikanit Igor Bogdanovski, kjo nuk është e mundur dhe arsimtarëve ju duhet trajnim shtesë për të parë përfitimet edhe nga Microsoft teams edhe nga Muddle.

Bogdanovski, i cili është mësues në shkollën fillore “Bllazhe Koneski” – Prilep, vitin e kaluar ishte një nga trajnuesit e mësuesve dhe thotë se ai është dëshmitar se Platforma funksionon. Ai gjithashtu na sqaroi se si e përdor atë në punën e përditshme dhe me cilat probleme është ballafaquar ai.

“Unë personalisht e përdor në të gjithë testet, përkatësisht këtë vit shkollor 16 në numër. Ato janë dizajnuar ekskluzivisht në Platformë dhe kurrë nuk kam hasur as problemin më të vogël. Më shumë se 100 nxënës bëjnë hartim me shkrim në të njëjtën kohë. Në testin e fundit ishin kyçur 108 nxënës dhe në të njëjtën kohë zgjidhnin një test me kohëzgjatje prej 75 minutash. Testi kishte 30 pyetje, diçka si një test vjetor në të cilin kontrolloj njohuritë e nxënësve përmes Platformës. Testi është bërë në bazë të 400 pyetjeve, të cilat ndahen në nivele dhe fusha dhe me një përzgjedhje të veçantë gjatë krijimit të testit vetë aplikacioni e gjeneron testin. Duke pasur parasysh se kishte mbi 360 pyetje, rezulton se çdo i katërti nxënës mund të ketë një pyetje të njëjtë kur do t’i gjenerojë ato”, shpjegon Bogdanovski për PINA.

Sipas tij, Platforma është e re dhe nuk mund të kalojë pa probleme të caktuara sepse paraqet diçka që nuk ka ekzistuar më parë te ne.

Nevoja për përdorim mbetet e paqartë ndërsa inxhinierët vazhdojnë me punë

Në ndërkohë, numri i të infektuarve të rinj me virusin korona është në rënie, por duke qenë se situata mbetet e pasigurt, autoritetet janë të rezervuar në deklaratat e tyre se si do të zhvillohet procesi edukativ-arsimor nga shtatori.

Nga Ministria, në këmbimin me shkrim për PINA, theksojnë se mësimi në klasë është opsioni më i mirë dhe më efikas për realizimin e procesit edukativ-arsimor dhe nuk ekziston alternativë tjetër më e mirë. I riu Hodai, nga ana tjetër, apelon deri te MASH dhe Qeveria që sa më shpejtë të fillojnë me planifikimin e vitit të ri shkollor.

“Kovid-19 nuk është më befasi, përvojat e deritanishme duhet t’i shfrytëzojmë dhe të mësojmë se si duhet të menaxhojmë në situata të këtilla”, konsideron maturanti.

Ndërsa institucionet janë në mëdyshje, profesori universitar Jakimovski dhe kolegët e tij do të përpiqen të inkuadrojnë disa ndryshime në pjesën e veglave të Microsoft këtë verë. Siç na konfirmoi Jakimovski, ata po përgatiten për këtë gjatë dy muajve të fundit.

“Nuk do të inkuadrohen vegla, ato janë të njohura dhe në dispozicion. Do të inkuadrohen cilësime të automatizimit të krijimit të funksionaliteteve të caktuara, të cilësimeve të sigurisë që kufizojnë ose jo disa funksionalitete të caktuara. Gjatë vitit shkollor nuk kemi dashur t’i provojmë për të mos çrregulluar procesin e mësimdhënies. Me këto ndryshimi që do t’i bëjmë do të jemi më të sigurt se privilegjet do të jenë të përshtatshme. Në fillim kishte situata kur nxënësit i fiknin arsimtarët dhe të ngjashme, për shkak të cilësimeve në Teams, të cilat nuk ishin bërë siç duhej, kështu që kjo duhet të mbetet në të kaluarën dhe mos të ndodhë më”, sqaroi profesori.

Ekipi i inxhinierëve do të punojë në përmirësimin e Platformës për të cilën nuk është e qartë nëse do të përdoret. Lidhur me atë se në çfarë mënyre do të fillojë dhe si do të realizohet viti 2021/2022, gjegjësisht organizimi i punës së shkollave, nga MASH thonë se do të varet nga gjendja epidemiologjike në vend. Vendimet për këtë çështje ministria do t’i sjellë së bashku dhe në pajtueshmëri me rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe Komisionit për sëmundje infektive.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Published in