Adrian Aziri: Arti dhe kultura duhet të kenë ndikim më të madh në shoqërinë tonë

February 23, 2020

|

Language:Albanian

Adrian Aziri: Arti dhe kultura duhet të kenë ndikim më të madh në shoqërinë tonë

Shkruajnë: Ivana Nasteska dhe Albërie Xhemaili

“Asnjëherë nuk i kam takuar asnjë klani, as ndonjë strukture politike. Jo se aktorët nuk duhet të jenë aktiv në politikë, por të merren me politikë të shëndoshë, jo me nivelin e ulët ku gjendet politika te ne. Llogaris veten si rebel dhe nëse ka më tepër njerëz me energji si e imja, ndikimi i kulturës dhe artit do të jetë më i lartë në shoqërinë tonë”, thotë aktori Adrian Aziri.

Gjatë viteve të fundit, aktori tetovar Adrian Aziri (41), është shumë më shpesh prezent në serialet televizive të televizioneve të vendit, por edhe të regjionit. Përmes rolit të Naimit në “Prespav” (Fjeta) arriti popullaritet më të madh te publiku i gjerë, edhe pse nuk mund të nënvlerësohet edhe bagazhi i tij paraprak me mbi 40 shfaqje teatrale, çmimet që ka marrë, por edhe për punën jashtë kufijve të vendit. Para se të mbaronte me studimet në Fakultetin e Artit Dramatik në Shkup, e fitoi angazhimin e parë për film, edhe atë për filmin “Prashina” (Pluhuri) nën regji të Millço Mançevskit, mandej pasojnë angazhimet në teatrin e Tetovës, ndërsa tani është prezent në projekte televizive në Serbi dhe Mal të Zi. Një nga rolet më të dashura të tij është ajo e Eltonit në filmin gjerman “Eduart”. Pak njerëz e dinë se Adriani është koleksionist muzike, andaj në banesën e tij ka me mijëra pllaka muzikore, ndërsa shumë nga muzikantët e vendit e konsultojnë për muzikë. Nga instrumentet, ai luan në harmonikë, ndërsa përpos gjuhës angleze dhe gjuhëve të vendeve të ish-Jugosllavisë, flet turqishten në mënyrë solide. Ai është baba dhe bashkëshort i përkushtuar dhe ka ca vite që kur është shpërngulur në kryeqytet.

Publiku më i gjerë vendor Ju njoftoi përmes serialit “Prespav”. A ju pëlqen kjo vëmendje?

-Popullariteti i sitkomit, posaçërisht serialit “Prespav” është shumë më e dukshme se sa e gjithë përvoja që kam arritur më herët me shfaqjet. Televizioni vazhdon të mbetet mediumi më i fuqishëm për reklamimin e një aktori. Popullaritetin që kam arritur me “Prespav” nuk kam mundur ta arrij me shfaqjet. Televizorin mund ta shikojë çdokush, ndërsa në teatër nuk shkojnë të gjithë – ose nuk duan ose nuk munden.

Publiku Ju njeh përmes personazhit të Naimit. A kanë diçka të përbashkët Adriani dhe Naimi?

-Të përbashkët e kemi tikun që unë e zhvillova përmes karakterit të Naimit në sezonin e parë, dhe kjo është e qeshura. Është një pjesë që e jap nga vetja, por e zhvillova në drejtim të tillë që të mos jetë kiç. Kjo është e vetmja gjë e përbashkët me Naimin.

Atë që fitojnë shikuesit është gjysmë ore gaz. Por sa i vështirë/qesharak është xhirimi? Si kalon xhirimi i një episodi?

-Ajo energji që është prapa kuintave, prapa kamerave, është diçka jonormale. Them jonormale por në konotacion pozitiv. Ka një magji të çuditshme, ndonjëherë nuk mund të kontrollohemi, andaj na japin pauzë që të mund të ndalojmë së qeshuri. Ne jemi si një familje, të gjithë jemi të barabartë në skenë dhe të gjithë kanë trajtim të njëjtë. Këtë e imponoi edhe vetë produksioni “OHO” dhe është shembull i mirë për punë.

Ju jeni bashkëshort, baba…Si ia dilni në përditshmëri, duke marrë parasysh se aktorët nuk kanë orar të caktuar pune? Si organizoheni rreth obligimeve familjare dhe profesionale?

-Duhet të potencoj se është shumë e vështirë të organizohet njeriu. Tani kemi një fëmijë të vogël prej 14 muajsh dhe që kur u bëra baba, kanë kaluar dy sezone të “Prespav”, dhe kam xhiruar edhe një serial në Serbi dhe Mal të Zi. Është veçanërisht vështirë kur në shtëpi keni bebe të vogël, e përpos kësaj, bashkëshortja juaj edhe punon. Por, gjithnjë kemi gjetur mënyra apo ndihmë nga prindërit e mi ose motrat e bashkëshortes. Ia dalim. Punoni edhe jashtë shtetit, e xhiruat “Besa” në Beograd, “Dojç kafe” në Podgoricë, filmin “Eduart” që ishte ko-produksion mes Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Gjermanisë.

Pse janë të rëndësishme këto bashkëpunime?

-“Dojç kafe” ndodhi gjatë xhirimit të “Besa”-s në Beograd. Aty u njoftova me Dushan Kovaçeviqin i cili në të njëjtën kohë ishte producent i “Dojç kafe”. U afruam shumë dhe më ftoi si mysafir në një nga episodet e “Dojç kafe”. Nga ana tjetër, “Besa” xhirohej në Beograd, Ulqin dhe Budva. Për mua si aktor, bashkëpunimet jashtë vendit më janë përvoja të reja dhe më pasurojnë profesionalisht. Edhe pse, siç përmenda se më shumë kam luajtur në shfaqje, nuk mungojnë as projektet televizive dhe të filmit. Si student i vitit të tretë pata shansin të luaj në filmin “Prashina” të Millço Mançevskit. Kjo për mua ishte përvoja e parë filmi, ndërsa ishte një nga më profesionalet. Nuk dua të nënçmoj të tjerët, por “Prashina” ishte projekt serioz në të cilin luanin aktorë nga Hollivudi. Edhe në filmin “Eduart”, luanin po ashtu aktorë mjaft të njohur, mes të cilëve edhe aktori gjerman Andre Henike.

Si e fituat rolin e Eliotit në filmin “Eduart”?

-Për atë film kishte audicion, këtu në Shkup, ku u paraqita, ndërsa më vonë kishte audicion edhe në teatrin e Tetovës, ndaj regjisorja Angeliki Antoniu dëshironte të më shohë edhe atje. Personazhi i Eltonit, për të cilin u paraqita në audicion, ishte pastiçer, andaj vendosa të shfaqem në mënyrë pak më kreative në audicionin e Tetovës. Ishte periudhë kur e festonim Bajramin, ndërsa nëna ime kishte përgatitur ëmbëlsira të shkëlqyeshme. Mora ca dhe shkova në audicion në Tetovë. Përpos se e luajta pjesën që ma dhanë si detyrë, unë u paraqita si pastiçer i vërtetë dhe në fund i shërbeva me ëmbëlsirat. As regjisorja, as të tjerët nuk e prisnin këtë, por mendoj se ai kalim përtej kufijve i bindi akoma më shumë të më merrnin për atë rol. Ishin të befasuar dhe nuk prisnin të paraqitem me ëmbëlsirat.

Jetojmë në vend, shoqëri multikulturore, por akoma luftojmë me diskriminime, kushtëzime me fjalë fyese, ofendime në baza të ndryshme. A keni pasur ndonjëherë përvojë të këtillë?

-Nga aspekti i etnisë, gjithnjë jam pozicionuar ashtu që nuk ua kam dhënë atë luks njerëzve që të më ofendojnë mbi këtë bazë. Kam treguar se nuk jam njeri që e meriton këtë dhe se jam diçka më shumë se ajo për çfarë më mendojnë. Nuk kam lejuar të arrijnë deri tek ofendimi. Sigurisht që kam pasur situata përgjatë jetës, megjithatë, kam dit se si të reagoj në momentin e dhënë që gjërat të ndryshojnë.

Arti ka për detyrë edhe të lokalizojë anomali shoqërore, të tregojë probleme, por ndonjëherë edhe të ofrojë zgjidhje. A do t’ia dalë arti të mbrohet nga ndikimi i politikanëve?

-Asnjëherë nuk i kam takuar asnjë klani, as ndonjë strukture politike. Jo se aktorët nuk duhet të jenë aktiv në politikë, por të merren me politikë të shëndoshë, jo me nivelin e ulët ku gjendet politika te ne. Llogaris veten si rebel dhe nëse ka më tepër njerëz me energji si e imja, ndikimi i kulturës dhe artit do të jetë më i lartë në shoqërinë tonë

Nëse do të bëheni kryeministër një ditë, çfarë është ajo që do ta bënit të parën?

-Do të mbyllja të gjithë teatrot dhe fakultetet e arteve dramatike, posaçërisht për aktrim, dhe do të kisha krijuar komision dhe mënyrë të re për pranim të aktorëve. Ndërsa në të gjithë teatrot, sistem të ri të pranimit në punë të aktorëve.

A është i nevojshëm sistematizim i ri në këtë pjesë?

-Sipas meje, po. Jetojmë në shtet ku korrupsioni është dukuria më e shprehur.

Për fund, disa blic-pyetje: Çfarë Ju bën të lumtur?

-Më bënë të lumtur ca nga këto pyetje, sepse u shpreha pak më shumë.

Çfarë Ju nxjerr prej takti?

-Padrejtësia.

A përdorni rrjete sociale për komunikim apo promovim?

-As për komunikim, as për promovim. I përdor ato për të “vrarë” kohën, kur kam së paku pak kohë të lirë.

Çfarë Ju udhëheq në jetë, apo ndonjë mendim udhëzues?

-Unë dhe gruaja ime njihemi tashmë 12 vjet dhe kur vendosëm të jetonim bashkë, u zhvendosëm në Shkup. Pasi kam mbyllur kafenenë në Tetovë në qershor, shumë më rrallë shkoj atje, por meqenëse jam nga Tetova, jam disi i lidhur me qytetin. E mendoj, po të kisha autoparlantë aq të mëdhenj, që do t’i kisha vendosur në të gjitha anët e qytetit, çdo mbrëmje, me lartësi zëri të caktuar, do të lëshoja muzikë, e cila e di se ka efekt qetësues. Do ta bëja këtë derisa njerëzit do të çliroheshin nga energjia negative. Këtë e them, sepse unë jam koleksionues muzike, dhe e di shumë mirë ndikimin e muzikës së mirë.

Çfarë muzike dëgjoni më shpesh? Cilët muzikantë janë të përjetshëm/të përhershëm?

-Kryesisht, xhaz dhe bluz, ndërsa prej tyre burojnë shumë elementë si xhaz fjuzhën, rok alternativ, xhaz alternativ etj. Shija është individuale sa i takon muzikës, por unë e respektoj shumë kontrabasistin Reno Garsija-Fons, edhe pse shumica nuk do kishin mundur ta dëgjojnë. Mandej, Erika Staki, e nëse shkojmë drejt pjesës lindore, Aziza Mustafa Zade, mandej saksofonistin Jan Garbarek dhe shumë të tjerë.

A jeni optimist i papërmirësueshëm apo pesimist real?

-Do të përgjigjem me diçka të tretë – optimist real.

Foto: Produksioni “OHO”

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.