Zyrtarët kanë shpenzuar pak për transport publik

April 15, 2021

|

Language:Macedonian

Zyrtarët kanë shpenzuar pak për transport publik

Vetëm 661 denarë për transport publik janë shpenzuar nga zyrtarët qeveritarë në vitin 2020. Sa për krahasim, një udhëtim në transportin publik në kryeqytet kushton 35 denarë.

Këtë e tregojnë të dhënat nga Vegla për llogaridhënie të zyrtarëve publikë që ka të bëjë me periudhën nga qershori i vitit 2017 deri në nëntor të vitit 2020, që është publikuar në faqen e internetit të qeverisë.

Një vit më herët, në veglën që është prezantuar si pjesë e zotimeve të Qeverisë për një transparencë më të madhe dixhitale, u shpenzuan pak më shumë se 13 mijë denarë. Në periudhën e shënuar, shpenzime më të mëdha ka pasur në vitin 2018, 39.233 denarë, ndërsa në vitin 2017, zyrtarët kanë shpenzuar 23.279 denarë për transport publik.

[INFOGRAFIKË – Transport publik – Qeveri]

Më së shumti shpenzime shënon Ministria e Financave në vitin 2017, kur ishin shpenzuar 19.482 denarë.

Në tërë periudhën për të cilën ka të dhëna, mund të vërehet se zyrtarët kanë shpenzuar 76.219 denarë për transport publik.

[INFOGRAFIKË – Institucione të ndryshme, shprehi të ndryshme]

Nga Qeveria thonë se përpjekjet e tyre janë që zyrtarët të kursejnë burimet shtetërore gjithnjë kur kjo është e mundur, të zgjidhet opsioni më ekonomik, respektivisht që më së paku e ndot mjedisin.

“Këto shpenzime janë të ulëta për momentin, sepse për shkak të pandemisë, gjatë vitit të kaluar  udhëtimet zyrtare janë zvogëluar në minimum, dhe të dhënat në Veglën e llogaridhënies nuk japin një pasqyrë reale të shpenzimeve sipas llojit të mjeteve të transportit në muajt e fundit.”

Njëkohësisht, prej atje theksohet se shpenzimet për transport publik, por edhe për taksi kryesisht janë të lidhura me shpenzimet që janë bërë jashtë vendit gjatë udhëtimeve zyrtare.

Nëse shikoni informacionin për shpenzimet e zyrtarëve për sa i përket transportit taksi nga ana tjetër, pasqyra është pak më ndryshe.

Përderisa vitin e kaluar janë shpenzuar 661 denarë për transport publik, për transportin taksi zyrtarët kanë shpenzuar 16.506 denarë, gjegjësisht kjo është shuma më e ulët e mjeteve për vit në kolonën për transportin taksi.

[INFOGRAFIKË – Krahasim i transportit publik dhe taksi]

Kulmi prej 101.353 denarë është arritur nga mesi i vitit 2017, dhe që atëherë shpenzimet ulen, nga 90.062 denarë në vitin 2018, në 86.202 denarë në vitin 2019.

Mbajtësi i rekordit sipas kësaj shkalle është Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në vitin 2017, kur janë shpenzuar 29.317 denarë.

Të dhënat e vitit të kaluar duhet të merren me rezervë sepse ishte një vit pandemie, konsideron hulumtuesi në Institutin për politikë evropiane, Angel Mojsovski.

“Shumë nga përgjegjësitë e përditshme të zyrtarëve qeveritarë u ndërprenë, si udhëtimi në vend dhe jashtë, kështu që është normale që të ketë ulje edhe të përdorimit të transportit publik ashtu edhe të shpenzimeve për të njëjtin. Ndoshta do të duhet të presim dhe të shohim se cilat do të jenë të dhënat për vitin 2021, që të mund të bëjmë krahasim midis llojeve të ndryshme të transportit”, sqaron Mojsovski.

Ai është i prerë se zyrtarët duhet të sillen në mënyrë të kujdesshme dhe me përgjegjësi ndaj parave publike, sepse, siç theksoi ai, paratë që i kanë në dispozicion nuk janë personalisht të tyre, por u takojnë të gjithë taksapaguesve.

“Kjo është me rëndësi sepse buxheti në thelb është një planifikim sistematik i funksioneve që ndërmerr shteti, që do të thotë se nëse në një vend (njësi) në buxhet prishet realizimi i planifikuar, sigurisht që do të çojë në prishje indirekte në një vend tjetër (një tjetër njësi buxheti)”, shton ai.

Sipas Mojsovskit, shembulli zakonisht duhet të vijë “nga lart”.

“Kjo nuk nënkupton që duhet të lëshohen urdhra të veçantë lidhur me atë se si duhet të sillen qytetarët dhe zyrtarët e zgjedhur, por që të parët që japin shembull me sjelljen e tyre janë mbajtësit e funksioneve publike,” tha ai.

Nëse një zyrtar sillet në mënyrë të pahijshme në publik, tejkalon shpejtësinë e vozitjes ose përfshihet në ndonjë lloj krimi, Mojsovski thotë se atëherë qytetarët mund ta kuptojnë atë si një “mënyrë normale” të sjelljes.

“Në shumicën e rasteve kur qytetarët shkelin ndonjë ligj ose kryejnë ndonjë kundërvajtje më të vogël, jo gjithmonë e kuptojnë si shkelje, gjegjësisht nuk janë të vetëdijshëm se kanë bërë diçka të gabuar, sepse ajo sjellje u është përcjellë nga ata janë të parët që duhet ta mbrojnë interesin publik”, thekson Mojsovski.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Published in