U mbyll edhe një vit shkollor pa libra për shumë nxënës në drejtimet profesionale, MASH s’garanton as për vitin e ardhshëm

June 1, 2022

|

Language:Macedonian

U mbyll edhe një vit shkollor pa libra për shumë nxënës në drejtimet profesionale, MASH s’garanton as për vitin e ardhshëm

Përfundoi edhe një vit tjetër shkollor por disa nxënës përsëri nuk u pajisën me libra. Mungesa e teksteve të mjaftueshme shkollore, e teksteve të përditësuara në mënyrë bashkëkohore, apo dhe mungesa e librave për lëndë profesionale, ishte problem i përsëritur në shkollat e mesme profesionale. 

Ky fenomen është ende i pranishëm në drejtimet mjekësore. Këtë e konfirmojnë mësimdhënës në dy shkolla të mesme profesionale të vendit, një në Strugë dhe një në Shkup, në paralelet shqipe, apo ata maqedonase.

Mësimdhënësit detyrohen të përgatisin vetë materiale për të plotësuar mungesat dhe angazhojnë nxënësit për hulumtime shtesë. Në një prononcim anonim, një profesor i shkollës së mesme “Niko Nestor” nga Struga, në drejtim e mjekësisë, klasat në gjuhën shqipe thotë se ky problem është në disa lëndë. 

“Për disa lëndë profesionale ka tekste mësimore, për disa jo. Tekstet në përgjithësi kanë gabime teknike, e disa kanë edhe gabime shkencore, prandaj është mirë (gjë e cila edhe bëhet) që gjatë zhvillimit të mësimit nga ana e mësimdhënësve të njëjtat të korrigjohen ose po nxënësve nga ana e mësimdhënësve t’ju jepet përgatitja ditore në një mënyrë. Në lëndët te të cilat nuk kemi tekste mësimore, në bazë te planit global vjetor mësimdhënësit përgatisin njësitë mësimore nga tekstet e shkollave të larta ose edhe fakulteteve, por të përshtatura për shkollimin e mesëm për nxënësit. Me ndryshimet qe kanë ndodhur në arsim presim që të ketë tekste shkollore dhe ato tu përgjigjen planeve globale (vjetore)”, thotë profesori i intervistuar. 

Nga e njëjta shkollë por në paralelet në gjuhën maqedonase, një ish-profesoreshë na tregoj poashtu për vështirësi të ngjashme.

“Kishim libra por nëse mungonte njësia mësimore ose përmbajtja ishte mjaft e vjetër, i përgatisja mësimet duke përdorur literaturën profesionale dhe i përshtatesha gjithmonë me mundësitë e nxënësve të shkollave të mesme. Ndonjëherë u kërkoja atyre (në varësi të temës) hulumtoni dhe më pas përgatisnim së bashku atë që do të jetë më interesante dhe më e nevojshme për ta.”

Profesori Bekim Ferra nga ShMK: “Panqe Karagjozov” në Shkup, thotë se libra për lëndë të ndryshme mungojnë, edhe pse janë mjaft të nevojshme.

“Mund të them qe literatura/librat mungojnë. Konkretisht në lëndën e Anatomisë dhe Mjekësisë Interne kemi libra të cilat zakonisht nuk janë të mjaftueshëm që t’i kenë të gjithë nxënësit. Në lëndët e tjera profesionale në shkollën e mjekësisë dukshëm mungojnë librat, psh. në Pediatri, Patologji, Gjinekologji, Kirurgji, Infektologji. Në këto raste, jemi të detyruar të japim shënime të cilat i improvizojmë ne mësimdhënësit, të përkthejmë prej gjuhëve të huaja e kështu gjëra të ngjashme. Mendoj që duhet të ju mundësohet profesorëve të rinj që të botojnë libra, sepse sidomos në mjekësi rrallë mund të gjejmë mjekë që ka 10 vjet përvojë pune në shkolla të mesme.” 

Ndërkohë, ky është një problem që kryesisht prek nxënësit duke ua vështirësuar atyre të kuptuarit e materialit mësimor. 

“Ka qenë vështirë për të kuptuar mësimet në lëndët që nuk kemi pasur libra sepse për shkak të mungesës së tyre përveç shpjegimit të mësimit, profesori duhet edhe të na diktoj për të marrë shënime. Disa mënyra se mund të përmirësohet kjo situatë janë, si për shembull realizimi i mësimit në formë ndëraktive, poashtu pjesëmarrja në projekte, aktivitete të ndryshme i stimulon nxënësit për motivim që ato të punojnë për të mësuar më shumë”, thotë Ilayda Osmani, nxënëse. 

“Pa libra është mjaft e vështirë sepse ne to ka ilustrime me fotografi dhe vizatime që ndihmojnë në mënyrë vizuale të fiksosh dukurinë ose procesin e dhënë, përkrahë edhe shume shembujve të tjerë që jepen në libra. Mënyra e duhur sipas meje është nëpërmjet praktikës dhe mjeteve të punës që duhet t’i posedojë çdo kabinet lëndor, me qellim që teoria e mësuar, e kombinuar me praktikën dhe vizualen të mbes më gjatë në memorien tonë dhe kështu do jetë më efikase”, thotë Armela Ismaili, nxënëse.

A do të ndërmerret ndonjë masë për në vitin e ardhshëm nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me qëllim të mënjanimit afatgjatë të këtij problemi? Përgjigja e tyre për ne ishte shumë e shkurtër.

“Momentalisht në rrjedhë janë disa procedura për miratimin e teksteve shkollore për lëndët profesionale për të cilët ekzistojnë programe të reja mësimore dhe presim që disa prej tyre të përfundojnë plotësisht para fillimit të vitit të ri shkollor 2022-2023.”

Por, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri ditë më parë për mediat tha që nëse kjo procedurë do të përfundojë në kohë ose jo, gjithçka do të varet nga buxheti që kanë në dispozicion. Dorëshkrimet për një pjesë të librave janë dorëzuar në shërbimin pedagogjik pranë ministrisë dhe disa prej tyre tashmë janë miratuar nga komisioni përkatës. “Mendoj se nëse me rishikimin e buxhetit sigurojmë buxhet të plotë dhe mjete shtesë, do të arrijmë të menaxhojmë mirë që të gjithë të kenë libra. Që sa më shumë tekste të kemi për arsimin profesional”, kishte deklaruar Shaqiri. 

Problemi me mungesën e përmbajtjeve mësimore në drejtimet profesionale në vend është dekadësh. 

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in