QANIJE SELIMI: GRATË AKOMA NUK TRAJTOHEN SERIOZISHT NË BIZNES

August 28, 2021

|

Language:Macedonian

QANIJE SELIMI: GRATË AKOMA NUK TRAJTOHEN SERIOZISHT NË BIZNES

Qanije Selimi është themeluese dhe drejtuese e Qendrës për Fëmijë dhe Edukim “REA”në Tetovë që nga viti 2013. Në të njëjtën kohë është anëtare e Këshillit Drejtues të OEMVP, themeluese e Grupacionit të Grave Afariste të OEMVP dhe aktiviste e organizatave të grave. Gjithashtu ka qenë themeluese e Bordit për Përkrahje të Grave në Biznes, një projekt i financuar nga USAID. Momentalisht është e përzgjedhur si sekretare e Këshillit Komunal Socio-Ekonomik në Tetovë. Në të njëjtën kohë është nënkryetare e Asociacionit të Çerdheve Private në RMV, që u krijua në kohë pandemie.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Pandemia preku rëndë shumë biznese tek ne. Sipas jush, znj. Selimi, a kishte dallime sa i takon rënies që pësuan bizneset e drejtuara nga gratë dhe bizneset e drejtuara nga burrat?

“Nuk mund të flas me numra për statistika, sepse ajo nuk është pjesë e imja, po me atë që jam e informuar, kuptohet se ka pasur rënie shumë të madhe të shumë bizneseve, pavarësisht a kanë qenë të themeluara nga burrat apo gratë.”

Si arriti të mbijetojë biznesi juaj gjatë periudhës së pandemisë?

“Arsyeja kryesore e dështimit të shumë bizneseve kanë qenë subvencionet dhe pakot jo të mjaftueshme nga qeveria, për ta mbajtur një biznes hapur dhe për ta tejkaluar situatën e pandemisë. Në këto pako ishin të përfshira vetëm rrogat e punëtorëve, kurse faktikisht një biznes, për të mbijetuar si i tillë, nuk i ka vetëm rrogat e punëtorëve, ka edhe shumë harxhime të tjera fikse, që për shumë biznese kanë qenë të papërballueshme. Ka qenë e vështirë kuptohet edhe për ne. Jemi munduar që të gjejmë mundësi, mjetet rezervë që kemi pasur i kemi shfrytëzuar që ta mbajmë biznesin gjallë përkundër mbylljes totale që kishim si institucion për gjashtë muaj. Gjithashtu jemi munduar të marrim edhe projekte të tjera që të mund të vazhdonim aty ku e kishim lënë.”

A është biznesi në mënyrë plotësuese më sfidues për gratë?

 

“Kur unë kam filluar në biznes, në vitin 2008, ka qenë një sfidë e dyfishtë, sepse ishte periudha që sapo u martova dhe u ballafaqova me një tufë të madhe paragjykimesh, sepse shoqëria priste diçka tjetër nga unë dhe se unë nuk do mund të ja dilja. Sidoqoftë unë e sfidova veten dhe i kam qëndruar gati edhe pjesës së punës, sepse unë ja kisha vendosur një qëllim vetes time. Vendosa që me punën dhe veprat e mia të thyej akullin dhe ta vërtetoj atë që jo vetëm unë por çdo grua mund të ja dalë dhe të realizojë ëndrrat e saj”, thekson Selimi.

 

Cili është roli i edukimit në frymën e barazisë gjinore në krijimin e një biznesi të suksesshëm ose profilin e një biznesmeni/biznesmeneje të suksesshme?

 

“Unë tashmë nëntë vite kam punë me formimin e fëmijëve që në moshë shumë të hershme, dhe e shoh se çfarë mund të japësh tek një fëmijë dhe si mund të formohet një fëmijë që në këtë moshë. Nëse fëmijët në moshë të hershme e krijojnë vetëbesimin, atëherë shumë më të lehtë e kanë në të ardhmen që të ballafaqohen me botën e jashtme dhe sfidat. Nëse një fëmijë formohet gabimisht që në fëmijëri, atëherë pasojat që vijnë do t’i vuaj një shoqëri e tërë. Për këtë arsye duhet të zhvillojmë dhe edukojmë gjenerata të reja, më të mira që nesër ata të na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ndër të tjera shton Selimi.

 

Sa ndihmohen gratë nga institucionet për të qëndruar “në këmbët e veta” në biznes?

 

“Pushteti qendror dhe ai lokal nuk janë mjaftueshëm të përfshirë në nxitjen e grave për të investuar dhe për t’u inkuadruar në biznes. Por, sado që të mundohet pushteti lokal që t’i nxis gratë dhe vajzat të merren me biznes, nëse ata nuk kanë vetëbesimin dhe formimin profesional, është thuajse e pamundur; sepse për t’i hyrë sfidës së biznesit duhet të jesh i formuar dhe i përgatitur shumë më përpara si psiqikisht por edhe profesionalisht; që të jesh në gjendje të shfrytëzosh mundësitë, grandet, subvencionet që t’i ofron pushteti lokal apo ai qendror.  Duhet të jemi kërkues që t’i shfrytëzojmë këto mundësi.”

 

A egziston akoma vijë ndarëse midis burrave dhe grave në biznes?

“Jam me fat që edhe bashkëshorti im është i fushës së biznesit dhe kjo më ka ndihmuar për t’i parë më mirë këto gjëra. Neve na ka ndodhur, ne jemi dy kompani të ndryshme me bashkëshortin tim, dhe në momentin që unë jam paraqitur si biznesmene grua nuk është marrë parasysh kërkesa, kurse në momentin që është paraqitur bashkshorti im si biznesmen, kërkesa është marrë menjëherë parasysh. Në shoqërinë tonë ekziston besueshmëri më e madhe tek burrat se tek gratë, për sa i përket biznesit, por e njëjta gjë duhet të ndryshojë dhe mos të ngeli e tillë.”

A pasqyrohet kjo edhe në letra?

“Shumë biznese mbahen dhe udhëhiqen nga gratë, por të njëjtat janë të regjistruara në emër të burrave në regjistrin qendror. Kur bëhet ndarja dhe statistikat sa biznese janë nën drejtim të burrave dhe sa të grave, përqindja e grave del shumë më e ulët se sa faktikisht është.”

 

Biznesi juaj mori çmimin si biznesi më i suksesshëm i udhëhequr nga një grua për vitin 2020 nga OEMVP. Si e përshkruani këtë?

“Ka qenë befasi, sepse çmimi më është ndarë në kohën më të vështirë, në kohë pandemie, kur shumica e bizneseve dështuan. Unë kam punuar fort, pa menduar që unë nesër mund të shpërblehem me një çmim të tillë. Ka qenë diçka e papritur. Unë them që kulmin nuk e kam arritur akoma, kam edhe shumë punë për të bërë, por kjo ka qenë absolutisht një motiv shumë i madh që unë të vazhdoj të punoj edhe më forte që të arrij aty ku unë dua.”

Mesazhi i Selimit për të gjithë vajzat e reja është që mos t’i lenë ëndrrat në sirtar por të punojnë fort për t’i arritur qëllimet e tyre, paragjykimet nuk kanë vend në këtë rrugë. Frymëzim për të janë dy biznesmene vendase që drejtojnë biznese të suksesshme, Gëzime Fejzi dhe Merita Ramadani-Alimi, si dhe ish zonja e parë e SHBA-së Mishel Obama me të cilën ka pasur rastin të komunikojë edhe privatisht, në këtë frymë.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in