Përfaqësimi I grave në kuvend, më i ulët se i burrave

April 19, 2021

|

Language:Macedonian

Përfaqësimi I grave në kuvend, më i ulët se i burrave

Gratë janë akoma të nënpërfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetë fakti që egziston një kuotë prej 40% e përfaqësimit të grave në listat e partive politike, respektivisht çdo e treta në listë duhet të jetë grua e bën diskriminimin të jetë ligjor. 

Një retrospektivë në kohë në vitin 1990, aty ku gjithçka filloi

Kuvendi i parë i RMV-së, u zgjodh në 1990 dhe për nga përfaqësimi  i grave në të ishte pothuajse inekzistent, vetëm 5 prej 120 të zgjedhurve ishin gra, kurse ai i vitit 1994  shënoi rënie për sa i përket përfaqësimit të grave në të, nga 120 deputetë vetëm 4 ishin gra. Numri i deputeteve gra u dyfishua në kuvendin pasardhës të  vitit 1998, gratë tani ishin të përfaqësuara me 9 karrige.

“Arsyeja kryesore për mungesën serioze të grave në tre përbërjet e para parlamentare parë është niveli i ulët i demokracisë në partitë politike, e cila ka rezultuar në përjashtimin e grave nga procesi i përzgjedhjes.” Thotë Marko Troshanovski, drejtori i Instititutit për Demokraci Societas Civilis.

Kuota prej 30%, zgjidhja më e mirë për atë kohë

Në vitin 2002, në Ligjin për zgjedhjen e deputetëve u vendos kuota prej 30% e përfaqësimit të gjinisë më pak të përfaqësuar nëpër listat e kandidatëve për deputetë, kjo si një zgjidhje për përfaqësimin e ulët të grave në Kuvend.  Në Kuvendin e vitit 2002 numri i deputeteve gra shënon rritje, edhe atë me 21 karrige  nga 120. Por kjo nuk solli rezultatet e dëshiruara, partitë kishin tendenca të manipulonin dhe të vendosnin gratë në fund të listave, dhe shanset që ato të zgjidheshin ishin shumë të vogla.

Për çdo tre vende, një vend i përket gjinisë më pak të përfaqësuar

Ndryshime pozitive pati në Kodin zgjedhor të vitit 2006, ku në listat e kandidatëve për deputetë, një në tre kandidatë duhetj të ishte nga gjinia më pak e përfaqësuar.  Gratë tani  siguruan 37 vende në Kuvendin e vitit 2006. Numri i  grave deputete qëndroi i njejtë edhe në Kuvendin e vitit 2008, pra edhe këtë herë kishte 37 deputete.  Rrënie për një karrige pati në Kuvendin e vitit 2011, gratë ishin të përfaqësuara me 36 deputete nga  120.

Sidoqoftë, përkundër rritjes së numrit të grave deputete, disa prej partive politike u bënin presion deputeteve gra që të hiqnin dorë nga mandati i tyre dhe kështu të zëvendësoheshin nga kolegët e tyre burra. Kjo rezultoi në ndryshimin e Kodit Zgjedhor të vitit 2014, ku  nëse mandati i një gruaje përfundon ajo  zëvendësohet nga nja grua tjetër nga lista e kandidatëve.  Në Kuvendin e vitit 2014, gratë siguruan 40 mandate.

Rritja e kuotës nga 30% në 40%

Në vitin 2015, përsëri pati ndryshime në Kodin Zgjedhor, ku tani u vendos kuota prej 40% të përfaqësimit të gjinisë më pak të përfaqësuar, dhe ku një në tre kandidatë duhej të ishte nga po i njejti grup. Ky njëherit është edhe hapi më i madh pozitiv i ndërmarrë në këtë sferë, sepse rekordin për nga përfaqësimi i deputeteve gra në Kuvend, e mban Kuvendi i vitit 2016 me 46 deputete gra.

Kuvendi aktual,  i konstituuar më 30 gusht të vitit 2020 shënon rënie për nga përfaqësimi i deputeteve gra nga Kuvendi paraprak. Gratë aktualisht janë të përfaqësuara me 43 karrige.

Infografik 1: Numri i grave deputete të kandiduara dhe të zgjedhura në Kuvendin e RMV-së(1990-2020) në %.

Jana Kocevska, themeluesja e Shoqatës për Promovimin e Aktivitetit të Grave Tiiiit, që është pjesë e Platformës së Barazisë Gjinore, beson se vetëm përmbushja e kuotave si një masë për përfaqësimin e barabartë të gjinive në politikë, nuk do të thotë domosdoshmërisht përmirësim i situatës së grave në një vend. Sipas saj  në këtë kontekst,  në vend ka një numër grash në pozicione vendimtare politike, axhenda e të cilave janë kryesisht interesat e partive.

Gratë në Komisionet Parlamentare

Korniza ligjore në shtet dhe efektiviteti i mbikqyrjes parlamentare mbi pushtetin ekzekutiv ndikohen jashtë mase nga komisionet parlamentare. Gratë janë të nënpërfaqësuara edhe në këto grupe të kuvendit.

Sipas një studimi nga Unioni Ndër-Parlamentar (UNDP), thuhet se deputetet që janë pjesë në përqindje të vogël në një komision të caktuar, përballen me sfida atëherë kur zëri i tyre duhet të dëgjohet për të drejtat e tyre.

Gratë janë të nënpërfaqësuara në të shumtën e rasteve në komisionet e njejta. Përqindja më e ulët e grave vërehet tek Komisioni i Mbrojtes dhe Sigurisë, Mbikqyrjen e Punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare, Komisionit për Mbikqyrjen dhe Zbatimin e Masave për Ndjekjen e Komunikimeve, Çështjet Ekonomike, Bujqësi, Pylltari, Ekonomia e Ujrave etj. Siç vërehet të gjitha këto komisione, në të shumtën e rasteve konsiderohen si punë “burrash” dhe steriotipizimi që u bëhet deputeteve shumë qartë shihet në praktikë.

“Ajo që vihet re veçanërisht në mesin e deputetëve është tendenca për të përqendruar angazhimin e deputeteve gra kryesisht në komisionet që në domenin e tyre kanë zhvillimin e të drejtave të njeriut, arsimit dhe kulturës. Dhe kështu, fjalën vendimtare në komisionet  e tilla si mbrojtja, siguria, ekonomia, e marrin burrat”, thotë Marko Troshanovski, nga Instituti për Demokraci Societas Civilis.

Gratë shënojnë përfaqësim të lartë në Komisionin për Mundësi të Barabarta të Burrave dhe Grave. Ky Komision është themeluar në vitin 2006 në përputhje me Ligjin për mundësi të barabarta të grave dhe burrave.

Infografik 3: Komisionet parlamentare me përfaqësim të vazhdueshëm të lartë të grave(%)

Deputetët më aktiv

Nga viti 2017, Instituti për Demokraci nga monitorimi i cilësisë së debatit veçon 15 deputetët më aktiv, apo ato që më shpesh marrin fjalën nëpër debate.  Gjatë vitit 2017 dhe 2018 vetëm 3 ishin gra nga 15 deputetët më aktiv, kurse ky numër u rit në 5 gjatë vitit 2019.  Rezultatet tregojnë se burrat janë ato që më shpesh marrin fjalën dhe janë më aktiv në këtë sferë.

Infograf 4: 15 deputetët që kanë numrin më të madh të fjalimeve në Kuvendin e RMV-së

Koordinatorët e grupeve parlamentare, të gjithë burra

Partitë politike që përfaqësohen në Kuvend me më shumë se pesë deputetë kanë të drejtë të formojnë grupe parlamentare. Këto grupe kanë një koordinator i cili është nga radhët e deputetëve. Në Kuvendin aktual ka katër koordinator dhe të gjithë janë burra.

Listat e mbyllura, problemi kryesor

Problemi janë partitë politik dhe rregullimi që ato kanë në vetvete. Duke marrë parasysh modelin zgjedhor me lista të mbyllura të kandidatëve për zgjedhjen e deputetëve, kjo i bën deputetët të varur ndaj udhëheqësisë së partisë gjë që përbën një problem mjaft serioz për demokracinë.

“Duke pasur parasysh problemin e dukshëm që ky vend ka me veprimet korruptive të politikanëve, unë nuk kam shpresë të veçantë për një ndryshim domethënës nga kjo pikë, edhe nëse përmbushen “kuotat gjinore” të imponuara”, thotë Jana Kocevska nga Shoqata për Promovimin e Aktivitetit të Grave Tiiiit.

Nga Instituti për Demokraci Societas Civilis  thonë se kapërcimi i këtij pozicioni ekskluziv të deputetëve është i mundur kryesisht përmes rritjes së demokratizimit të partive politike, me theks të veçantë në sensibilizimin gjinor dhe përfshirjen e grave në pozitat udhëheqëse. Ku, duhet të bëhet punë e vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve të grave politikane. Sipas tyre, rritja e kuotave për përfaqësimin minimal të grave në listat e kandidatëve në 50% do të barazonte numrin e grave dhe burrave në Kuvend, dhe kështu do të pasqyronte ekuilibrin gjinor të pranishëm në shoqëri.”

Si e komentojnë partitë politike këtë fenomen?

Edhe përskaj këtyre statistikave, partitë politike shprehen të kënaqura me rregullimet ligjore për përfaqësim gjinor në legjislativ. Madje secila prej tyre deklaron se bën mjaft për avancimine  pozitës së grave.

Nga partia qeverisëse LSDM, deputeti Kosta Kostandinov thotë se politikat e LSDM-së janë për barazi të plotë dhe barazi të plotë gjinore. Ai thekson se në vitet e kaluara LSDM-ja ka punuar vazhdimisht për të promovuar përfaqësimin e grave në politikë, si në nivelin partiak ashtu edhe në atë institucional, ku thekson se në përbërjen aktuale të Bordit Ekzekutiv të partisë shumica e anëtarëve janë gra. LSDM-ja mbështet listat e hapura, siç thonë, për më shumë demorkaci dhe cilësi.

“Grupi ynë parlamentar i LSDM-së, pa deputetë nga partnerët e koalicionit, ka 29 deputetë, 18 prej tyre janë gra, që është një përfaqësim mbi 60 përqind. Zëri i deputetеve nga radhët e LSDM-së, si dhe nga partitë e tjera dëgjohet edhe atë shumë në Parlament”, shton deputeti Kostandinov.

Nga opozita, deputetja nga Aleanca për ShqiptarëtIlire Dauti thotë se pamundësia e gruas për të pasur fillimisht një vend pune e përjashton nga mundësia për ngritje profesionale dhe karrierë.

“Gruaja nuk ka nevojë vetëm të flet por edhe të jetë në pozicione vendimmarrëse, e për këtë vendi më i mirë janë postet ministrore. Ku në qeverinë aktuale gratë mungojnë sepse nga gjithsej nëntëmbëdhjetë ministra pa e përfshirë kryeministrin vetëm katër janë gra. Nuk mendoj se në Kuvend ka ndonjë pengesë të vecantë mbi baza gjinore. Si  zv. Koordinatore e Grupit  parlamentar të koalicionit Aleanca per Shqiptarët dhe Alernativa, kam në dispozicion gjithë hapsirën e nevojshme për të kryer detyrën pa pengesa”, shton Ilire Dauti.

Nga rradhët e pushtetit, nga **BDI-**ja, deputetja Rina Rushani Ajdari thotë se kuota ligjore prej 40% përfaqësim nuk i diskriminon gratë. Ajo shton se ky ligj e ka rritur dukshëm numrin e grave në Kuvend dhe sipas saj gratë në këtë përbërje parlamentare janë shumë të zëshme dhe tejet aktive për të gjitha çështjet.

“Çështja e zgjedhjeve me lista të hapura ose jo, me tri njësi apo me gjashtë mendoj se nuk ka të bëjë me çështjen e gjinisë por me mënyrën e shpërndarjes në rajone, ngaqë duhet pasur kujdes që mos të mbetet asnjë vendbanim pa deputet të zonës dhe sigurisht të mbahet llogari që të mos koncentrohet vetëm një gjini deputetësh, qoftë femra apo meshkuj”, shton Rina Rushani Ajdari.

Sipas deputetes nga opozita, Dafina Stojanoska, nga VMRO-DPMNE zëri i të gjithëve dëgjohet në Kuvend. Ajo mendon që duhet të fokusohemi në cilësi dhe jo tek gjinia, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të përparojmë dhe të ngrisim vlerat.

“Gratë kanë treguar për shumë vite që politika nuk është thjesht një gjë “mashkullore”. Ndoshta numrat, përqindjet, kuotat dhe statistikat nuk e vërtetojnë akoma, por sot emrat e disa politikaneve po bëjnë histori. Që gratë të mos jenë një kuotë ose përqindje në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, gratë duhet dhe duhet të jenë sa më aktive në politikë dhe të fillojnë betejën e tyre për cilësi në mënyrë të barabartë edhe në këtë fushë. Gratë dinë dhe munden, ashtu si burrat”, thekson deputetja Stojanoska.

Në Maqedoninë e Veriut, lëvizja e parë feministe u  formua në vitin 1942, kurse katër vite më vonë, në vitin 1946 gratë në Maqedoni fituan të drejtën e votes si dhe të zgjidhen në zgjedhjet politike.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in