“60% e institucioneve që janë inspektuar për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve e zbatojnë dhe respektojnë Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve”, thotë drejtori i inspektoratit Fatmir Iseni. Megjithatë, çfarë ndodh me 40%-shin e mbetur? Në një intervistë Iseni thotë se deri tani institucionet ku janë konstatuar shkelje janë treguar bashkëpunuese dhe kanë eliminuar në kohë ligjore mangësitë. Inspektorati funksionon me numër të ulët të inspektorëve, me mungesë të stafit administrativ dhe me buxhet të pamjaftueshëm.
- Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në vitin 2018, si është situata kronologjikisht me zbatimin e tij deri më sot? Sa zbatohet ky ligj në të gjitha institucionet, pavarësisht hierarkisë?
Ligji i Përdorimit të Gjuhëve hyri në fuqi më 14.01.2019, përkatësisht me publikimin në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit, institucionet kanë qenë të obliguara që t'i ndryshojnë emrat dhe vulat e institucioneve, dhe brenda një viti dispozitat e ligjeve të tjera duhej të harmonizoheshin me dispozitat e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.
Me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të plotë dhe të drejtpërdrejtë të dispozitave të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, më 28.12.2019, me emërimin e Drejtorit të Inspektoratit, u themelua Inspektorati i
Përdorimit të Gjuhëve. Në vitin e parë të themelimit, edhe pse ishte vit i pandemisë Kovid dhe vit i zgjedhjeve parlamentare, Inspektorati arriti të funksionojë dhe në tetor 2020, pas një shpalljeje publike, u punësuan edhe nëpunësit e parë administrativë në Inspektorat. Në vitin 2021, pas përmbushjes së detyrimeve ligjore nga Ligji i Mbikëqyrjes Inspektuese (pra pas kryerjes së trajnimit të detyrueshëm 12
mujor), u licencuan 3 inspektorët e parë për mbikëqyrje mbi përdorimin e gjuhëve. Në fund të vitit 2021 filluan inspektimet e para për zbatimin e dispozitave të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve.
- Cilat janë të dhënat statistikore mbi përdorimin ose mospërdorimin e gjuhës shqipe në institucione?
Nga fundi i dhjetorit 2021, kur u licencuan inspektorët e parë për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhëve, deri në maj të vitit 2022 janë bërë gjithsej 53 mbikëqyrje inspektuese. Prej tyre 36 janë mbikëqyrje të
rregullta, kurse 17 janë mbikëqyrje të jashtëzakonshme, gjegjësisht inspektorët kanë vepruar sipas parashtresave të qytetarëve. Sipas procesverbaleve dhe aktvendimeve të lëshuara nga inspektorët, mund të konstatohet se 60% e institucioneve që janë inspektuar për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve e zbatojnë dhe respektojnë Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve. Rritje e përdorimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve është vërejtur me fillimin e mbikëqyrjeve inspektuese nga ana e inspektorëve. Presim në të ardhmen zbatim edhe më të madh dhe më gjithëpërfshirës të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga të gjitha institucionet kompetente.
- Cilat janë masat që keni ndërmarrë deri tani ndaj personave juridik që anashkalojnë përdorimin e ligjit të gjuhëve? Kur mund të presim dënime konkrete, ashtu siç e parashikon ligji?
Inspektorët për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhëve veprojnë në përputhje me Ligjin për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve dhe Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese, i cili përcakton procedurën e mbikëqyrjes inspektuese dhe afatet brenda të cilave veprojnë inspektorët. Shumë prej institucioneve ndaj të cilave janë shqiptuar masa inspektuese, veprojnë brenda afateve ligjore dhe eliminojnë mangësitë e konstatuara. Mirëpo, pas skadimit të afateve të dhëna, nëse ende ka institucione që nuk i kanë eliminuar mangësitë e konstatuara, inspektorët për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhëve do të veprojnë në përputhje me ligjet dhe do të shqiptojnë masat e duhura të inspektimit dhe dënimet. Është për t'u përshëndetur që të gjitha institucionet të cilat i kanë vizituar deri tani inspektorët për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhëve kanë qenë bashkëpunuese, të vetëdijshme për detyrimin që të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, veprojnë siç duhet dhe i eliminojnë mospërputhjet dhe mangësitë e identifikuara nga moszbatimi i Ligjit.
- Shumë institucione, pak inspektorë. A arrini t'i inspektoni të gjitha rastet për të cilat keni ankesa se nuk respektohet dygjuhësia? Për sa inspektorë plus keni nevojë që të mund të keni një punë më efikase?
Inspektorët për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhëve janë vazhdimisht në terren, duke kryer kontrolle të rregullta dhe duke vepruar sipas parashtresave të qytetarëve. Edhe pse kemi një numër të vogël të inspektorëve kurse vëllim të madh të punës, inspektorët veprojnë në mënyrë profesionale, brenda afateve ligjore dhe veprojnë ndaj të gjitha parashtresave të qytetarëve brenda afatit ligjor, duke u përpjekur t'i mbrojnë qytetarët për përdorimin e cilësdo prej gjuhëve zyrtare dhe alfabetet e tyre nga institucionet kompetente. Sipas organizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës në
Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve janë paraparë 32 inspektorë për mbikëqyrje të përdorimit të gjuhëve, deri më tani janë të punësuar me shpallje publike dhe me marrjen nga institucionet tjera gjithsej 8. Shpresojmë që në periudhën e ardhshme do të kemi punësim të inspektorëve të rinj për të plotësuar numrin e përcaktuar me aktet e Inspektoratit dhe për shkak të hapjes së zyrave rajonale të Inspektoratit në Tetovë, Kërçovë dhe Kumanovë.
- Sipas një deklarate për Alsat, keni thënë se tre inspektor të tjerë do të pajisen me licencë për punë ne muajin maj, a është arritur ky premtim?
Po, në maj të vitit 2022, 3 inspektorë të tjerë u licencuan për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhëve dhe të njëjtët kanë filluar me kryerje të mbikëqyrjeve inspektuese në muajin qershor të vitit 2022, kurse 2 inspektorë të tjerë janë aktualisht në trajnim dhe licencimi i tyre pritet në mars 2023, duke e çuar numrin total të inspektorëve të licencuar në 8.
- Në procedurë është rishikimi i buxhetit. Sa i plotëson buxheti që u ndan shteti nevojat e inspektoratit?
Buxheti i ndarë për vitin 2022 i plotëson nevojat themelore të Inspektoratit për funksionimin e tij, por nuk mjafton që të arrihet Plani Strategjik i Inspektoratit, gjegjësisht hapja, pajisja operative dhe funksionale e zyrave rajonale në Tetovë, Kërçovë dhe Kumanovë, zyra rajonale për të cilat është planifikuar dhe duhet, nëse na jepen fondet, të jenë funksionale deri në fund të vitit 2023. Është e nevojshme rritja e resurseve njerëzore, përveç inspektorëve të rinj kemi nevojë edhe për punësim në administratë, përkatësisht në shërbimin për kryerjen e punëve të caktuara profesionale, administrative dhe ndihmëse në kompetencë të Inspektoratit. Urgjente janë mjetet për vetura zyrtare, duhet theksuar se Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve ende nuk ka marrë vetura zyrtare, kurse mbikëqyrja mbi përdorimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve duhet të bëhet edhe në institucione jashtë qytetit të Shkupit. Ne përballemi me sfidën më të madhe kur ka parashtresa nga qytetarët për institucionet që nuk e zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe janë në tërë Republikën e Maqedonisë së Veriut, andaj inspektorët dalin në terren me automjete private, të cilat ne i konsiderojmë të papërshtatshme dhe sa më shpejtë duhet të tejkalohet kjo sfidë. E dimë që vendi po përballet me krizë ekonomike dhe energjetike, kemi mirëkuptim por shpresojmë që me rishikim të buxhetit apo buxhetin e ardhshëm të
Inspektoratit këto mjete të miratohen.
Intervistoi: Argjira Elmazi
***
Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” i implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.
Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.
This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.
Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.