Lira Bojku është një shkrimtare ndër të paktat e llojit të saj në vendin tonë, që i shkruan kryesisht me aq përkushtim dashurisë, e flet me aq dashuri për letërsinë dhe leximin në përgjithësi,
“Mendoj që ne brezi i ri duhet të angazhohemi për të vënë librin në piedestal, përkatësisht në vendin që vërtetë e meriton, të krijojmë kushte për hapjen e bibliotekave, të pajisen me libra, të mbjellim dashurinë tek gjeneratat e reja ndaj librit dhe leximit...”- kështu mendon Lira sa i përket dashurisë së të tjerëve ndaj librave, mendim i cili duhet të shkojë në mendjen e çdokujt së paku një herë, e sidomos të rinjve, ata të cilët e kanë të ardhmen në dorë. E të mbjellësh dashurinë për librin në kohën e zhvillimit të pajisjeve teknologjike të informimit, është shumë e vështirë, gjë të cilën e pranon edhe ajo.
Biseda jonë me Lirën nuk përfundoj vetëm me këtë mendim, pasi ajo kishte për të na treguar shumë më tepër dhe për eksperiencën gjegjësisht profesionin e saj në këto lëmi:
Ju jeni një shkrimtare ndonëse e re në moshë, jo dhe aq e re në këtë profesion, na tregoni pak eksperiencën tuaj që në fillimet e të shkruarit?
Më kanë thënë se si e vogël kam treguar afinitet të veçantë për artin e letërsisë dhe atë figurativ. Dashuria ndaj librit, leximit, gjuhës dhe letërsisë shqipe, shkrimit, mbase ka lindur dhe është rritur bashkë me mua. Mendoj që dëshira për t’u zhytur pikërisht në artin e shkrimit ka rrënjët në edukimin familjar dhe dashurinë e madhe për librin në familjen time. Unë kam filluar të shkruaj që e vogël, natyrisht ato kanë qenë vjershat e para që unë i kam mbledhur në një librushkë të improvizuar. Pastaj dashurinë për fjalën e shkruar vazhdova ta kultivoj edhe më tutje në orët e letërsisë, për t’u shndërruar në një pasion ky e për t’iu qasur kështu në mënyrë më serioze prozës apo më saktë tregimit të shkurtër…
Unë nuk e dija se po shkruaja libër atëherë kur ulesha dhe shkruaja për veten e për shpirtin tim. Me kalimin e kohës, një numër të madh tregimesh fillova t’i publikoj nëpër portale e revista letrare të ndryshme dhe pashë se ata lexoheshin me ëndje nga një numër i madh lexuesish sidomos nga të rinjtë të cilët më shkruanin se ju pëlqejnë tregimet e mija dhe kërkonin të vij me një libër, kështu dhe erdhi deri tek libri im i parë, përmbledhje me tregime dashurie, “Këpucët e kuqe”(viti 2015) për të vazhduar me të dytin “Dashuria në lavatriçe” (viti 2017), më pas erdha me libër në gjuhën maqedonase “Љубовта на генерал Ш.„ (viti 2018) dhe së fundmi me librin tim të fundit që vjen paralelisht në gjuhën shqipe dhe maqedonase me titullin “Doja të të them... - Сакав да ти кажам...”... natyrisht duke mos i lënë pa i përmendur këtu edhe përkthimet e prozës/poezisë sime që kam pasur brenda viteve në gjuhën maqedonase, turke, hungareze si dhe disa çmime letrare brenda dhe jashtë vendit...
Çfarë është më e vështire gjatë të shkruarit të librave?
Procesi i të shkruarit ndoshta është një nga punët më të vështira, që të lodh, të shkatërron por dhe të ringjall, plotëson e ta kënaq shpirtin në të njëjtën kohë. Për mendimin tim, armiku kryesor i një shkrimtari është; NJË: mospasja e mjaftueshme e kohës për të shkruar aq sa do kishim dëshiruar (duke pasur parasysh që në vendin tone nuk jetohet nga shkrimi & librat andaj shkrimtarët kryesisht kanë profesione të tjera ose punojnë diçka tjetër) dhe DY: mospasja e frymëzimit (nëse padashur je grindur keq me MUZËN tënde dhe një kohë të gjatë të anashkalon)…
Çfarë është më e vështirë?! Mendoj që të shkruarit kërkon shumë punë…shumë orë të kaluara vetëm me vetveten para letrës së bardhë ose kompjuterit…duke “luftuar” me fjalët, vargjet, rreshtat, …e duke e nxjerrë në letër atë që të “skllavëron” prej brenda. Dhe kjo nuk është aspak e lehtë sepse nuk ka agoni më të madhe se sa të mbash një storje brenda vetes, storje që pret të shkruhet dhe kërkon prej teje të ulesh dhe ta shkruash. Pra, e vështira qëndron aty, tek fleta e bardhë që pret të nxihet, tek rrëfimi që të zotëron, është dëshira e zjarrtë për t’u çliruar prej saj, janë fjalët dhe pesha e tyre, kuptimet, është frymëzimi që të vjen kur se pret, është rishikimi i asaj që është shkruar, korrigjimet... Ditën tjetër faqja është sërish e bardhë... dhe gjithçka prej fillimi...
Sa mendoni se janë njerëzit dashamirës të librave dhe të të lexuarit?
Kjo pyetje gjithmonë i ka preokupuar dhe brengosur shkrimtarët tek ne, sidomos viteve të fundit. Shpesh diskutojmë dhe e shtrojmë dilemën se sa lexojmë, sa kemi lexues në këtë kohë të informatave të shpejta, rrjeteve sociale, celularëve… Mendoj që adhuruesit e vërtetë të letërsisë gjithnjë e më shumë do jenë një pakicë e zgjedhur sepse leximi i librave është ritual i cili patjetër kërkon të kultivohet, ritual që zhvillohet në vetmi dhe tërheqje nga zhurma dhe njerëzit. E në kohën e sotshme dinamike, ku interneti po i gllabëron njerëzit dhe po i fut në një vetmi ende më të madhe, uroj që dashamirët e librit ta kenë kuptuar tashmë se bota virtuale nuk ta ofron aspak atë botën e fantazisë, kreativitetit dhe imazhin krijues të cilën ta ofron libri…
Nga çfarë kemi parë vitet e fundit, panairet e librave nuk marrin vëmendjen dhe frekuentimin e duhur, pse ndodh kjo?
Do të ndërlidhem këtu me përgjigjen e pyetjes së mëparshme, për fat të keq në ditët e sotme kemi shumë pak lexues, qoftë nxënës, studentë, intelektur në përgjithësi. Ajo që duhet të na brengosë është fakti se në shumë shkolla nuk ekzistojnë fare biblioteka. Mendoj që ne brezi i ri duhet të angazhohemi për të vënë librin në piedestal, përkatësisht, në vendin që vërtetë e meriton, të krijojmë kushte për hapjen e bibliotekave, të pajisen me libra, të mbjellim dashurinë tek gjeneratat e reja ndaj librit dhe leximit.
Është fakt që interneti ka ndikuar në uljen e interesimit të lexuesit dhe prezenca e librave еlektronike po zbeh imazhin e librave klasik, megjithatë nuk mendoj që libri klasik mund të zëvendësohet, të paktën ata që janë lexues të rregullt dhe lexues të mirëfilltë vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik librit klasik. Mendoj që duhet të punohet në rritjen e vetëdijes sidomos tek të rinjtë me qëllim që bibliotekat, libraritë dhe panairet e librave të jenë një mjedis tërheqës dhe të vizitohen më shpesh sepse një shoqëri pa kulturë leximi është një shoqëri me probleme serioze.
Si mundet dikush të fitojë shprehi të të lexuarit?
Shprehia e të lexuarit krijohet dhe formohet që në moshë të vogël, madje, madje, do kisha thënë që atëherë kur fëmija nuk i ka mësuar shkronjat, nuk di ende shkrim lexim, mirëpo çdo natë prindi i qëndron në kokë me një libër duke ia lexuar një përrallën para gjumi, ose atëherë kur fëmija e sheh babanë ose nënën me libër në dorë dhe dëshiron edhe ai t’i kopjojë dhe imitojë duke bërë po të njëjtën. Pra, dashurinë për librin duhet ta ushqejnë prindërit, mësuesit, edukatorët, dhe kjo në ditët e sotme është mjaft e vështirë duke e ditur që bota po përballet me problem real, përdorimi masiv i mjeteve elektronike, gjëra të cilat i largojnë fëmijët nga leximi i librave. Sidoqoftë shprehia e leximit fitohet dhe kultivohet duke lexuar gjithnjë e më shumë, dhe duke pasur medoemos libra mbi tavolinë e mbi komodinë të cilat na shoqërojnë, duke folur për libra, duke huazuar, shkëmbyer e blerë libra...
Në vendin tonë jo gjithmonë i kushtohet vëmendja e duhur artit dhe kulturës, si mendoni ju, a mbështeten mjaftueshëm nga shteti profesionet që kanë të bëjnë me këto sfera?
Kultura dhe arti janë komponentë të rëndësishme me të cilat njeriu afirmon identitetin e vet kulturor e kombëtar, por mendoj që për fatin tonë jo aq të mirë, tek ne gjithmonë arti dhe kultura janë nënvlerësuar dhe nuk kanë marrë vendin që e meritojnë. Mbështetja ekziston mirëpo gjithmonë duhet më shumë, Këtu duke synuar përkrahjen që mbase kultura e merr në vendet e përparuara evropiane ku arti çmohet, kuptohet dhe vlerësohet në një nivel tjetër.
Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.
This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.
Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.