[INTERVISTË] Kostadinova: Komunikimi me personat me aftësi të kufizuara intelektuale është vështirësuar gjatë kohës së pandemisë

July 23, 2021

|

Language:Macedonian

[INTERVISTË] Kostadinova: Komunikimi me personat me aftësi të kufizuara intelektuale është vështirësuar gjatë kohës së pandemisë

Tatjana Kostadinova është punëtore sociale e diplomuar dhe është e punësuar në Qendrën ditore Poraka nga Radovishi, e cila është një nga qendrat ditore në korniza të rrjetit të shërbimeve në vendbanim, e krijuar dhe mekanizuar nga Qendra republikane për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara intelektuale. Ajo thotë se qendra siguron përkrahje për këta persona çdo ditë përmes trajnimeve për përvetësim dhe përsosje të shkathtësive për jetë të pavarur, programeve të profesionit të punës, programeve edukative dhe aktiviteteve sociale dhe sportive. Në të njëjtën kohë, ju ndihmohet edhe familjeve përmes përfshirjes së anëtarëve të tyre me këtë lloj të paaftësisë në një periudhë të ditës, duke ju ofruar kushte më të mira për funksionim më të suksesshëm dhe mundësi për punësim të prindërve, dhe me këtë edhe rritje të buxhetit modest familjar.

Kur është themeluar qendra dhe me çfarë aktivitete merret?

Qendra është themeluar në vitin 2003 brenda rrjetit të shërbimeve sociale të Qendrës republikane për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara intelektuale. Kemi më shumë aktivitete siç janë: realizimi i një programi individual për punë për secilin person në qendrën ditore, gjegjësisht programi individual i punës përgatitet në bazë të një shkalle për vlerësimin e mundësive të personave me aftësi të kufizuar të moderuar dhe të rëndë, përgatitjen dhe zbatimin i një programi për aktivitete grupore, shoqërizim, inkluzion dhe punë me prindërit e përdoruesve të qendrës ditore. Aktivitetet e programit realizohen përmes punës individuale me secilin prej tyre. Me këto programe mundësohet: shkathtësim për jetesë të pavarur, shoqërizim dhe integrim në bashkësi, orientimin në hapësirë ​​dhe shkathtësim për përdorim të pavarur të transportit publik, aktivitete të profesionit-punës, aktivitete praktike dhe sociale, stimulimin e koordinimit psikomotor përmes ushtrimeve dhe punës këshilluese me prindërit dhe familjet e personave me aftësi të kufizuara.

Si funksiononte qendra gjatë kohës së pandemisë dhe a hasët në vështirësi?

Gjatë vitit 2020, në kushtet e pandemisë me KOVID-19, prioritet ishte sigurimi i mbështetjes psikosociale për përdoruesit e qendrës dhe prindërit e tyre, gjegjësisht realizohej një program i përshtatur pune me respektim të rreptë të masave dhe protokolleve të punës. Punohej përmes internetit me përdoruesit dhe prindërit e tyre duke përdorur mjetet e komunikimit që familjet kishin në dispozicion, duke marrë parasysh kapacitetin me të cilin disponon vetë familja. Përdoreshin biseda telefonike dhe video komunikim. Jepeshin udhëzime dhe detyra në mënyrë që të fitojnë më shumë aftësi dhe mundësi në një nivel të caktuar.

Disa nga ato aktivitete ishin:

  • Përfshirja e përdoruesve në të gjithë aktivitetet praktike në shtëpi, siç është higjiena dhe pastrimi nëpër shtëpi, rregullimi i dhomës, përgatitja e vakteve, larja e enëve, në përputhje me mundësitë e përdoruesit (edukatori jep udhëzime se në çfarë dhe sa është i përfshirë përdoruesi në qendrën ditore)
  • Kryerja e aktiviteteve të thjeshta edukative për të cilat nuk janë të nevojshme materiale apo vegla të veçanta, gjegjësisht të cilat mund lehtë të kryhen në shtëpi. Është e nevojshme të vlerësohen mundësitë dhe/apo interesi i familjes dhe të jepen detyra në përputhje me mundësitë e përdoruesit, por edhe nëse mund të kryhen në kushte shtëpiake. Për shembull, çdokush mund të bëjë një vizatim në fletore apo në letër me laps apo stilograf, të lajë duart, fytyrën, dhëmbët, fizkulturë, të përdorë facoletë – aktivitete të ngjashme të përditshme që duhet të ushtrohen dhe përsëriten. Kur do të planifikohen aktivitete për aftësi njohëse, merren parasysh karakteristikat dhe kapacitete e anëtarëve të familjes.
  • Udhëzim për përmbajtje edukative në TV ose internet që do të ishin të përshtatshme për angazhim të përdoruesve.

Kur punohet me persona me aftësi të kufizuara intelektuale, prezenca fizike është shumë e rëndësishme, si dhe puna drejtpërdrejt me edukatorin. Me mësimin përmes internetit kishte probleme me vënien e komunikimit përmes internetit sepse jo çdo familje menaxhon këtë lloj të komunikimit dhe mundësitë e prindërve për pranim dhe bashkëpunim të këtij lloji ishin të kufizuara sa i përket informatës kthyese. Në suaza të përkrahjes psikosociale, prioriteti ishte orientuar drejt përkrahjes, këshillave, qetësimit dhe inkurajimit lidhur me menaxhimin më të lehtë të gjendjes në të cilën jemi.

Cilat janë sfidat më të më dha me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara intelektuale?

Si sfidë më e madhe me të cilën ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara intelektuale do ta përmendja nivelin akoma të ulët të vetëdijes publike për këtë kategori të qytetareve dhe pranimi i tyre duke i respektuar dallimet. Edhe pse ka përmirësim të caktuar sa i takon uljes së paragjykimeve drejt personave me aftësi të kufizuara, fatkeqësisht akoma kemi nivel të lartë paragjykimesh në shoqërinë tonë. Për rritjen e vetëdijes publike dhe informim të publikut për të drejtat dhe mundësitë e personave nevojiten aktivitete të vazhdueshme si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal.

Si të përmirësohen mundësitë për cilësi më të lartë jetese për ta?

Zgjidhja është nxitja e ndryshimeve në qëndrimet ndaj personave me këtë lloj aftësie dhe heqja e pengesave për përfshirjen e tyre të plotë në të gjitha aspektet e jetës. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe ratifikimi i saj nga vendi ynë është një vegël kyçe përmes së cilës shumë të drejta duhet të zbatohen në procedurat ligjore. Përvoja tregon se në vendet ku janë zbatuar ligjet që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara, ndryshimet ndodhin shpejt dhe ka mbështetje me mundësi ligjore. Të drejtat më të rëndësishme të kësaj Konvente janë nenet 5 dhe 9, gjegjësisht e drejta për barazi dhe mosdiskriminim dhe e drejta për qasje.

Cilësia e jetës do të rritet së pari nëse i vihet fund segregimit, d.m.th. ndarja e pjesëve të popullsisë në bazë të racës, fesë, gjinisë, etj., dhe të sigurohet standard adekuat i jetesës. Ata kanë të drejtë të jetojnë të pavarur me mbështetje dhe mbrojtja institucionale e llojit të mbyllur duhet të merr fund duke mbështetur mbrojtjen jashtë-institucionale të jetesës në shtëpi të vogla në grupe, mbështetje e qendrave të kujdesit ditor si shërbime në vendin e banimit ku do të punohet që personat me aftësi të kufizuara të fitojnë aftësi për jetesë të pavarur, edukim, punë profesionale dhe socializim. Në këtë mënyrë, lidhja emocionale me familjet ruhet dhe e drejta për zgjedhje dhe liri respektohet.

Lidhur me kujdesin shëndetësor, veçanërisht në kushtet e pandemisë me KOVID-19, ata duhet të ushtrojnë të drejtën për kujdes cilësor.

Këta individë dhe familjet e tyre duhet gjithashtu të përfshihen në masat shtetërore për të zbutur efektet e krizës me pandeminë. Cilësia e jetës është përgjegjësi e shtetit, por edhe përgjegjësi individuale dhe angazhim i çdo qytetari nëse duam një shoqëri të barabartë për të gjithë.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in