Inflacioni e “hëngri” rritjen e pagave

July 22, 2022

|

Language:Macedonian

Inflacioni e “hëngri” rritjen e pagave

Rritja e pagës minimale nga 15.200 në 18.000 denarë, duke filluar nga muaji mars, kishte për qëllim që t'u sigurojë jetë të denjë të gjithë punëtorëve, gjegjësisht të mund të mbulohen shpenzimet mujore të domosdoshme për jetesë me dy paga minimale. Por ideja nuk pa “dritë”, sepse inflacioni në rritje të shpejtë me të cilin po përballemi për një çast e anuloi efektin e rritjes së pagave.

Enti shtetëror për statistikë ka llogaritur inflacionin ose rritjen e çmimeve prej 10.5% në bazë vjetore. Në këtë drejtim, ushqimi dhe transporti janë shtrenjtuar më së shumti.

Përllogaritje më grafike ka Unioni i sindikatave të Maqedonisë, që përllogarit shpenzimet e domosdoshme mujore të një familjeje mesatare prej katër anëtarësh, e cila jeton në shtëpi prej 50 metër katrorë dhe nuk posedon veturë. Sipas tyre, për vetëm një vit, shporta e shpenzimeve për një amvisëri është rritur për 4.128 denarë, gjegjësisht 12,14%. Ose, që të kalohet muaji në prillin e kaluar janë nevojitur 33.976 denarë, ndërsa në prill të këtij viti 38.104 denarë. Kjo do të thotë se dy paga minimale sërish nuk mjaftojnë që të mbulohen harxhimet mujore për një familje prej katër anëtarësh. 

 

“Kur u rrit paga minimale, në atë moment dy paga minimale mbulonin shportën minimale sindikale, por sot rritja e çmimeve dhe inflacioni midis 10 dhe 11% e rritën përsëri shportën sindikale dhe dy paga minimale nuk e mbulojnë më, gjegjësisht mungojnë 2.104 denarë sepse vlera e shportës minimale sindikale për prillin 2022 është 38.104 denarë”, shpjegon Sllobodan Trendafillov nga Unioni i sindikatave të Maqedonisë, i cili është përgjegjës për llogaritjen e shportës së konsumatorit sindikal.

MAQEDONIA NUK MBAN MEND INFLACION DYSHIFROR NË HISTORINË E SAJ MË TË RE 

Që nga vjeshta përballemi me rritje më të larta se zakonisht për shkak të krizës energjetike dhe rritjes së madhe të çmimeve të burimeve të energjisë në bursat botërore. Por inflacioni është nxitur dukshëm që nga shpërthimi i konfliktit ushtarak midis Ukrainës dhe Rusisë, jo vetëm për shkak të pasigurisë që sjell çdo luftë me vete, por edhe për shkak se të dy vendet janë ndër prodhuesit më të rëndësishëm të ushqimit dhe furnizuesit me burime të energjisë në botë. Megjithatë, këto janë situata me të cilat përballen ekonomitë në nivel global, jo vetëm Maqedonia.

Në përpjekje për ta përmbajtur inflacionin dhe për të ruajtur standardin e qytetarëve, Qeveria ka miratuar disa masa. Fillimisht ngriu çmimet e disa prej produkteve themelore ushqimore, uli akcizat për produkte të caktuara të importuara, më pas uli ose hoqi tërësisht tatimin e vlerës së shtuar për një pjesë të produkteve, ndërsa mori vendim edhe për kufizimin e marzhës së tregtarëve për produkte të veçanta. Të gjitha këto masa ishin të përkohshme dhe të vlefshme deri më 31 maj.

Që atëherë çmimet rriten çdo ditë, më së shumti te karburantet dhe ushqimi. Karburantet u shtrenjtuar mes 13 dhe 15 denarë për litër në vetëm katër ditë. Kjo është rezultat i heqjes së masave kundër krizës, sepse taksa e karburanteve është kthyer në 18%, në vend të 10%, dhe nuk ka më akciza të reduktuara të importit dhe taksa ekologjike.

Ushqimi gjithashtu shtrenjtohet dukshëm, veçanërisht produktet bazë, të cilat deri më tani nuk janë taksuar, ndërsa tani shiten me 5% TVSH, por nuk ka më as kufizim marzhe për tregtarët dhe prodhuesit. Kështu, buka dhe mielli u shtrenjtuan për 5 deri në 6 denarë, çmimi i sheqerit sillet nga 52 deri në 60 denarë, ndërsa vaji për gatim sërish është dukshëm më i shtrenjtë dhe tani çmimi tejkalon 160 denarë. Janë rritur edhe çmimet e qumështit, vezëve dhe orizit.

 

A DO TË KETË MASA TË REJA KUNDËR KRIZËS?

Qeveria lajmëroi se nuk do t’i vazhdojë masat, por do të bëhen analiza për grup të ri të masave nga fundi i verës. Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, masa për ngrirje të çmimeve, për shembull nuk ka efekt dhe është e paqëndrueshme në kushte kur pjesa më e madhe e prodhimeve janë të importuara, ndërsa çmimet e tyre janë në rritje të vazhdueshme. 

Nga industria e mullinjve dhe furrave veç më alarmuan dhe dërguan kërkesë zyrtare deri te Qeveria për të ndaluar eksportimin e drithërave deri në fund të vitit, që mos të ketë shtrenjtim të mëtejshëm të bukës dhe miellit. 

Ekonomistët gjithashtu pajtohen se nevojiten analiza të hollësishme të masave të ardhshme për të menaxhuar me inflacionin. Profesori universitar Borçe Trenovski thotë se Maqedonia është vend i varur nga importi dhe ky është një nga faktorët kryesorë që ndikon në inflacion. Në kushte të tilla është e pamundur të mbrohen çmimet në tregun vendas nëse rriten çmimet e lëndëve të para nga jashtë.

“Duhet të kemi parasysh një gjë, rreziqet mbeten akoma të konsiderueshme për shkak të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, për shkak të tendencave globale dhe njoftimeve për rritje të çmimeve të ushqimeve dhe të së ardhmes ende të pasigurt për burimet e energjisë, megjithëse paralajmërojnë se ato do të ulen vitin e ardhshëm. Prandaj, duhet të kemi parasysh se masat tona, të marra tashmë, patën një efekt dhe qetësuan panikun, çmimet e larta, anuluan disa nga efektet negative të inflacionit global, që na u transmetua. Mirëpo, rreziku ende vazhdon”, thotë Borçe Trenovski, profesor në Fakultetin Ekonomik në UKIM në Shkup.

Trenovski konsideron se shteti duhet t’u kushtojë vëmendje të veçantë shpenzimeve, sepse para ka pak e më pak, ndërsa kreditë janë gjithnjë e më të shtrenjta. Nga ana tjetër, nuk ka shumë hapësirë për rritje të deficitit buxhetori dhe borxhit publik me qëllim të mbajtjes së masave të këtilla fiskale.  

“Duhet të mendojmë në detaje se si do të ndikojmë në atë drejtim. Së pari, nuk mund ta eliminojmë rrezikun tërësisht. Ai është kryesisht i importuar. Ne mund vetëm t’i zvogëlojmë rreziqet, e kjo është e lidhur me shpenzime fiskale. Kështu, këtë dikush duhet ta paguajë, a do ta paguajmë ne nga të disa detyrime që do t’i grumbullojmë tani, ose do të paguhet nga brezat e ardhshëm përmes huamarrjes. Prandaj, ne duhet të masim se sa është kapaciteti ynë për të mbajtur më tej disa nga këto masa”, thotë profesor Trenovski.

Ai konsideron se duhet të ofrohet mbështetje e synuar për sektorë apo qytetarë të caktuar, në mënyrë që shteti të sigurojë masat më efektive me shpenzimin apo huamarrjen më të ulët.

“Duhet të zgjidhen saktësisht ata sektorë dhe ata qytetarë dhe kategori të ndjeshme që duhet të ndihmohen me efektin fiskal, pra me fuqinë fiskale që kemi për momentin. Duhet të kemi parasysh se ende nuk kemi pasqyrë të qartë në një të ardhme të afërt dhe mund të duhet të ndërmerren edhe masa të reja shtesë,” shpjegon Trenovski.

Ekspertët mendojnë se duhet të ndiqen edhe sinjalet e tregut sepse nëse ka edhe ofertë edhe kërkesë për një prodhim të caktuar, atëherë masat mund të jenë të padobishme. Në një masë të caktuar kjo është dëshmuar edhe deri tani sepse edhe përkrah kufizimeve, realisht në treg disa prodhime ofroheshin dhe bliheshin me çmime dukshëm më të larta. 

A DO TË KETË SHOK ÇMIMESH NGA 1 QERSHORI?

Sipas profesorit universitar Gadaf Rexhepi, Qeveria nuk duhet të presë gjatë për të intervenuar me masa të reja sepse në nivel botëror parashikimet për lëvizje të çmimeve nuk janë optimiste. 

“Nuk ka asnjë ekspert relevant, nuk ka asnjë institucion relevant që deri më tani ka parashikuar se në tre-katër muajt e ardhshëm do të ketë ulje të çmimeve, madje as stabilizim të tyre. Kështu që, nëse e kemi parasysh këtë fakt, duhet të kemi kujdes që të mos shfuqizohet pa inkuadruar asnjë ndihmë shtesë edhe në drejtim të përmirësimit të standardit të qytetarëve dhe në anën e politikës fiskale. Diçka duhet bërë sepse nuk pritet stabilizim dhe përmirësim i situatës në tre-katër muajt e ardhshëm,” tha Gadaf Rexhepi, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore.

 

Profesor Rexhepi nuk e përjashton mundësinë për shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve, por nuk pret që sërish të ballafaqohemi me mungesë të prodhimeve në treg.

“Duke pasur parasysh se çfarë po ndodhë në treg për momentin, sigurisht se do të ishte racionale që njerëzit të bëjnë panik dhe është plotësisht e logjikshme që të sillen ashtu dhe të presin rritje të mëtejshme të çmimeve. Tregu për momentin është në një farë mënyre, të mos e ekzagjeroj me fjalën kaos, por ja do të them që për momentin është i ngjashëm me të, sepse vazhdimisht po shohim rritje të çmimeve. Pra, shohim rritje të çmimeve aty ku mund ishte e pritshme, por edhe aty ku ishte e pritshme dhe sidomos nuk pritej në masa të tilla”, tha profesor Rexhepi.

Rexhepi konsideron se Qeveria duhet të jetë më transparente me të dhënat dhe analizat nga masat e ndërmarra. 

“Ndoshta Qeveria duhet edhe neve të na japë pak më shumë të dhëna lidhur me atë se nëse masat e deritanishme kanë qenë apo nuk kanë qenë të suksesshme. Nuk patëm mundësinë që këtë ta shohim mirë. Edhe me këto masa në treg ndodhin rritje të mëdha të çmimeve. Programi nuk mbulonte një pjesë të madhe të prodhimeve, por megjithatë i mbulonte prodhimet që janë më të nevojshme për qytetarët. Por, për momentin me të vërtetë ka hapësirë edhe për shqetësim për rritjet e mëtejme të çmimeve” thotë profesori Rexhepi.

Ekspertët alarmojnë të gjitha institucionet kompetente që të kryejnë kontrolle të vazhdueshme në terren për të parandaluar abuzimin me mundësinë e rritjes së çmimeve. Ata apelojnë të kontrollohet nëse rritja e çmimit të një produkti apo shërbimi është e arsyetuar apo jo, sepse pavarësisht se jemi ekonomi tregu, në kushte krize pritet solidaritet dhe sjellje etike nga të gjithë aktorët e shoqërisë.

 

Mirjana Joveska 

 

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in