Bamirësia dhe humanizmi më ushqejnë shpirtërisht-Interviste me Egzona Kaziun

April 16, 2022

|

Language:Macedonian

Bamirësia dhe humanizmi më ushqejnë shpirtërisht-Interviste me Egzona Kaziun

Situata e pafavorshme ekonomike dhe politikat e zbehta sociale kanë lënë shumë famije në prag të ekzistencës. Disa mbijetojnë me të ardhurat minimale të ndihmës sociale dhe disa me punë alternativa të përkohshme. Ka edhe të tilla që nuk kanë aspak të ardhura. Shoqata të ndryshme humanitare por edhe humanistë individual funksionojnë nëpër të gjithë shtetin për të detektuar rastet më të rënda të varfërisë dhe për t’i ndihmuar ata me ushqime dhe gjësende esenciale. Puna e tyre është tërësisht vullnetare dhe drejtohet vetëm nga dëshira për të ndihmuar njerëzit në nevojë. E tillë është Egzona Kaziu, me profesion mësimdhënëse, por që njihet për aktivitetin e saj humanitar në Dibër. Ajo kishte dhuruar rrogën e parë të saj për njerëzit që kishin më shumë nevojë se ajo dhe nuk ka pushuar së ndihmuari që atëherë. 

Çfarë ju motivoi të merreshit me humanizëm?

Unë jam rritur në një familje humaniste, e kam të trashëguar nga nëna. Ajo ka ndërtuar disa shtëpi në të kaluarën me ndihmën e disa donatorëve të tjerë. Kam parë dhe dëgjuar histori të ndryshme kur nëna bashkëbisedonte me babin për rastet që ajo kishte parë. Prekesha shumë por kurrë nuk e shpreha si dëshirë me zë të lartë. Deshi fati që unë të punësohem në arsim, në shkollë fillore si arsimtare e lëndës së Biologjisë, ku u ndesha me realitetin dhe pashë me sytë e mi se në çfarë niveli të varfërisë jetojnë shumica e këtyre nxënësve, ku nuk kishin pajisjet elementare për shkollim siç janë fletore dhe laps. Kjo, për shumicën prej nesh mund të duket absurde, por, po, ky ishte momenti kur unë vendosa të dhuroj pagën time të parë për tre familje në nevojë. Sigurova ushqimet elementare dhe vendosa ta nxjerr në rrjetet sociale si “Donatori anonim”. Këtë gjë është hera e parë që unë e flas publikisht. Nga ky postim filluan të më kontaktojnë familjarë nga diaspora duke dashur të kontribuojnë edhe ato në këtë rrugëtim që unë tashmë mora. Aty kuptova që nuk kam gabuar, dhe u vendosa të mos ndalem. 

Sa e vështirë ka qenë kjo nismë? Na trego pak për momentin vendimtarë!

Do të habiteni! ASPAK!! Normal që do përkushtim dhe investim kohor, por unë tashmë e kam bërë qëllim jete, dhe më pasuron shpirtërisht kjo që e bëj. Më ka befasuar fakti se sa shpejt njerëzit krijuan besimin tek unë, dhe sa të gatshëm ishin për të kontribuar si fizikisht ashtu edhe financiarisht. Por nuk dua të anashkaloj pjesën se unë për çdo gjë kam qenë transparente me fletëpagesa dhe fotografi. Ndoshta kjo është një ndër arsyet që kam arritur të krijoj besueshmëri tek këta njerëz.

A ruani brenda vetes ndonjë moment emocional nga këto eksperienca?

Unë kam nisur ndihma financiare të vogla, për të siguruar ushqimet elementare për familjet në nevojë, dhe kam parë varfëri në pika të ndryshme dhe secila ka pasur ndikim emocional tek unë. 

Ishte një nga ato ditët normale në shkollë, dhe papritmas marr një telefonatë, ku ishte një prind me një gjysmë zëri me thotë Kam nevojë për ndihmën tënde, kam dëgjuar që t’i ndihmon, dhe pak e hutuar se ne mes të mësimit, lë orën në gjysmë dhe shkoj në vendin ku e caktuam të takoheshim. Përball lokalit që duhet të takoheshim, pash ambulancë dhe një burrë me një djalë përdore, duke u drejtuar nga unë dhe pasi më prezantohet me thotë: “Kam djalin 12-vjeçar të diagnostikuar me leukemi! Nuk di nga t’ia mbajë, sapo dola nga spitali erdha me ambulancë dhe dokumentet që më dhanë në spital. Më thanë që duhet urgjentisht ndërhyrje, por unë nuk kam aspak të ardhura financiare, madje as nuk jam i punësuar”. Për një moment humba! Marr djalin dhe i them kamerierit të merret pak dhe t’i tregojë llojet e ëmbëlsirave, që unë të flisja pak më lirshëm me babin e tij. Biseduam, pash dokumentet, analizat dhe gjithçka, dhe fatkeqësisht ishte e vërtetë. Pranimi dhe intervenimi që djali duhet të bënte kushtonte 88,000 Euro në Turqi. Me kontributin e mësueses Arjeta Kërluku e cila me një kontakt direkt të mjekut nga Turqia arriti marrëveshjen e çmimit nga 120,000 ne 88,000 Euro. Gjithashtu kontributin e veçantë të Dibran Begut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që bëri hapjen e “GoFundMe” në të cilën u grumbulluan $66,000. Iniciativa ka qenë e gjithanshme, me donator të ndryshëm me shuma të mëdha.

Ne ia arritëm qëllimit, arritëm të grumbullojmë  paratë, mjetet, transport e të gjitha. Nuk lamë gjë pa bërë, nga ajo e cila mund të bëhej në anën financiare mendoj… por fatkeqësisht, Ilhan Nezovski, 12-vjeçari, nga fshati Brushtec i Dibrës, nuk mbijetoi. Ky ka qenë rast që unë sot e kësaj dite qaj kur e kujtoi.

Sa ka ndikuar rritja e çmimeve tek shtresat sociale të varfra?

Të them te drejtën Vlora, shumë. Edhe nga rritja e çmimeve por edhe si pasojë e pandemisë. Kam raste, mos të them që shumica e njerëzve, me ekonomi të dobët. Kanë humbur familjarët të cilët deri dje kanë siguruar sado pak ushqimet themelore, e tashmë këto fëmijë mbetën jo vetëm se të varfër, por edhe jetimë. Sikurse nuk mjaftoi e gjithë pandemia tashmë dhe rritja e çmimeve është vështirësi shtesë. 

Ka raste që sot, në shekullin XXI njerëzit akoma nuk kanë energji elektrike në shtëpi, dhe në qoftë se e krahasoj vitin e 2021 me 2022 rritja e numrit të familjeve në nevojë është shumë më e lartë, fatkeqësisht.

Cilat janë synimet apo qëllimet tua si humaniste për të ardhmen?

Unë kam gati dy vite që kam synim hapjen e një shoqate humanitare në Dibër për njerëzit në nevojë, por arsyeja pse më ka ngadalësuar hapin është dhe humbja e babait tim. Ai vdiq nga kanceri ne mushkëri para gati dy viteve, në kohën e pandemisë dhe më është dashur pak kohë më shumë të reflektoj në vete. Por ky është synimi im që dua ta realizoj brenda 5 viteve të ardhshme. 

Çfarë do kishe dashur t’i thuash atyre që lexuan këtë intervistë?

Nuk kam fjalë ta përshkruaj ndjenjën e buzëqeshjeve të atyre fëmijëve apo njerëzve kur më shohin, edhe pse shoqata nuk është hapur akoma, humanizmi vazhdon deri në atë pikë ku unë së bashku me Shoqatën humanitare “Drita” Dibër, dhe kontrubitin e palodhshëm të Z.Haxhi Neri Kërçishta, jemi ne përfundim të 3 shtëpive, dhe jam shumë e lumtur që ne së bashku me donatorët aritëm të sjellim verë ne jetën e këtyre njësve, më mbush shpirtërisht, më është bërë ushqim shpirti. Unë thjesht dua të citoj një thënie të Nënë Terezës;

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in