PËRFAQËSIMI I ULËT I GRAVE NË POLITIKËN E RMV-së

December 19, 2021

|

Language:Macedonian

PËRFAQËSIMI I ULËT I GRAVE NË POLITIKËN E RMV-së

Në faqen zyrtare të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (vlada.mk) në segmentin Barazia midis meshkujve dhe femrave (Еднаквост помеѓу мажите и жените) ndër të tjerash thuhet: ‘Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut beson fuqishëm se nuk ka barazi në shoqëri nëse nuk ka barazi midis meshkujve dhe femrave. Qëllimi i qeverisë do të jetë arritja e barazisë gjinore në vendin tonë, çrrënjosja e stereotipave gjinor dhe eliminimi i dhunës në baza gjinore. Për këtë qëllim do të zhvillojmë një politikë aktive për rritjen e përfaqësimit të grave në të gjitha funksionet ekzekutive në dhe të zgjedhura nga qeveria.’ Por sa është bërë për tu arritur ky qëllim? Cfarë tregojnë numrat e përfaqësimit të grave në pozitat vendimarrëse në politikë?

Duke u nisur që nga përbërja e qeverisë, por edhe kuvendit, shihet një përfaqësim i ulët që edhe ndër vite pëson vetëm lëvizje fare të vogla, gati pothuajse të padukshme. Kurse nga ana tjetër, si shtet me pretendim hyrjen në BE, po rezulton se qëllimet e BE-së po qëndrojnë nën hije. Barazia gjinore është ndër to, sepse BE promovon barazinë midis burrave dhe grave, më konkretisht (nenet 2 dhe 3(3) të Traktatit të Bashkimit Evropian. Këto objektiva janë të parashikuara edhe në nenin 21 të Kartës së të Drejtave Themelore. Për më tepër, neni 8 i jep Unionit detyrën për të eliminuar pabarazitë dhe për të promovuar barazinë midis burrave dhe grave në të gjitha aktivitetet e tij (ky koncept njihet edhe si 'përfshirja gjinore'). E megjithatë barazia gjinore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe në rajon, nuk përmbush parimet e BE-së.

PËRFAQËSIMI I FEMRAVE NË QEVERINË E RMV-së

Që nga themelimi i shtetit dhe deri më tani asnjëherë nuk kemi parë në krye të  pozitës së presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit të qëndrojë një grua. Përpos kësaj, qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut në përbërjen e saj në postet më të rëndësishme ka meshkujt. Më konkretisht, nga gjithsej 16 ministri, vetëm 4 janë të udhëhequra nga gratë dhe vetëm 2 gra qëndrojnë në postin e zëvendësministres. Përpos ministrive, edhe organet apo shërbimet e ndryshme të krijuara në shërbim të qeverisë, në krye mbajnë meshkujt, duke nisur që nga zëvendëskryetarët e kryetarit të qeverisë, udhëheqësitë e sekretariateve të qeverisë, trupa koordinues kombëtar të emëruar nga Qeveria, organe të pavarura dhe administrative etj. Në pajtim me Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, janë themeluar 4 organe të pavarura dhe 3 organizata administrative, të cilat përgjigjen para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dhe atë: Agjencioni për rini dhe sport; Agjencioni i mërgatës; Agjencioni për ushqim dhe veterinari; Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze; Instituti Gjeologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut; Arkiva Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Enti Shtetëror i Statistikës. Në të gjithë këto organe udhëheqin meshkuj, poashtu edhe në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta që kryen punë të përgjithshme dhe shërbime për nevojat e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministrive dhe organeve në përbërje, sekretariateve dhe shërbimeve të tjera profesionale të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjykatës Kushtetuese të RMV-s, drejtohet nga një mashkull. Kurse në listën e koordinatorëve kombëtarë nga 10 të tillë, vetëm dy janë femra Maja Mojsova Mijovska dhe Aleksandra Grozdanova

https://create.piktochart.com/output/56857700-my-visual

PËRFAQËSIMI I FEMRAVE NË KUVENDIN E RMV-së

Në Kuvend vërehet një rritje e përfaqësimit të grave ndër vite, duke marrë parasysh se në vitin 1991 në zgjedhjet e para në kuvend kanë qenë të zgjedhura vetëm 5 gra, e më pas në legjislacionin e dytë kanë qenë 9 gra. Kjo një rritje e vogël dhe simbolike, por aspak e mjaftueshme. Më vonë në vitin 2002, u bënë ndryshime në Ligjin për zgjedhjen e deputetëve, ku theksohet kuota prej 30 për qind e pjesëmarrjes së gjinisë më pak të përfaqësuar në listat e kandidatëve për deputetë. Mirëpo në zgjedhjet e ardhshme, pas ndryshimeve në ligj, sërish u has diskriminimi gjinor në kuvend, ku as edhe 20% nuk arrit numri i deputeteve gra. Kjo gjë shtyu deri tek ndryshime të tjera ligjore gjë që solli rritje të dukshme në vitet në vijim. Edhe pse vërehet përparim në këtë aspekt, sërish deri tash Kuvendi nuk është udhëhequr nga një grua. 

Mund të them që kemi një progres në aspektin e përfaqësimit të grave në nivel qendror dhe lokal me përfaqësimin në kuvend dhe këshill, ku momentalisht janë 47 gra deputete apo 39% në parlament nga 120 gjithsej, në krahasim me vitin 2008 ku ka pasur 39 gra apo 32.5% dhe në vitin 1998 vetëm 9 gra apo 7.5%.’- thotë Elmedina Abdulahi, këshilltare në Këshillin Komunal të Tetovës.

 PËRFAQËSIMI I FEMRAVE NË ZGJEDHJET LOKALE 2021

Zgjedhjet lokale 2021 edhe një herë dëshmuan se përfaqësimi i grave në politikë është i ulët dhe larg parimeve evropiane. Këtë gjë na ilustrojnë numrat, ku nga 301 kandidatë për kryetar komune (për 81 komuna) vetëm 25 ishin gra. Nga 25 gra, vetëm 2 prej tyre u përzgjodhën si kryetare komune dhe atë, Danela Arsovska dhe Zhaklina Jovanovska.

Edhe në pozicionin e bartësve të listave të këshilltarëve përfaqësimi i grave nuk është në nivelin e duhur, edhe pse ka një rritje. Elmedina Abdulahi, këshilltare e Këshillit Komunal në Tetovë thotë se  në këto zgjedhje lokale për kandidat për këshilltarë 45% ishin gra dhe 55% burra. Ky progres padyshim që u arrit me vendosjen e kuotave zgjedhore (40%) në listat për këshilltarë dhe kandidat për deputet. Por një arritje e tillë nuk shihet në pozitat më të larta ekzekutive, ku në pozita të kryeministrit, presidentit të shtetit dhe kryetarit të kuvendit ende nuk kemi pasur një grua. 

Mendim të ngjajshëm ndan edhe Vjollcë Berisha, kryetare e Asamblesë së Gruas në Aleancën për Shqiptarët, ku ndër të tjerash ajo thotë: Përfaqësimi i grave në politikë në Maqedoninë e Veriut mjerisht ende është në shkallë kuotash që i siguron ligji. Megjithë potencialin politik e intelektual që shpërfaqin gratë, ato ende nuk e kanë statusin e barabartë me burrat në pikëpamje të përfaqësimit në organet e partive, sikurse edhe në organet shtetërore. Po ky status i rrudhur ndeshet edhe në vendimmarrje përbrenda strukturave partiake dhe jo vetëm. Ndonëse në të shumtën e partive ekzistojnë edhe  forume grash mirë të organizuara, thithja e kapaciteteve që i servojnë këto forume për fat të keq është tejet e magët nga ana e partive tona. Kjo vihet re në të gjitha organet partiake, ku gratë nuk janë të përfaqësuara as me kuotën që ua garantojnë deklarativisht statuset e partive, sikurse vihet re në institucionet shtetërore, në ekzekutiv etj.’

CILAT JANË SFIDAT ME TË CILAT BALLAFAQOHEN FEMRAT NË SKENËN POLITIKE DHE SI TË RRITET PËRFAQËSIMI I TYRE NË POLITIKË?

‘Unë e kam filluar karrierrën politike kur kam qenë fare e re. Jam kryetare e Forumit të Gruas, ku është e domosdodhme të jetë një grua dhe për këtë pozitë nuk më është dashur të sfidoj njeri. Më herët kam qenë këshilltare komunale, ku, gjithashtu, kam qenë pjesë e një kuote që ma garantonte pjesëmarrjen në listë dhe ky pozicion ligjërisht ishte i pasynueshëm nga ndonjë kandidat i gjinisë tjetër. Ndërkaq para çdo porte tjetër dhe ambicjeje për të marrë ndonjë pozicion a detyrë, më është shfaqur një burrë i madh që e zë kuadrantin dhe s’lejon kalim të lehtë përtej. Kjo është sfidë e përhershme për një grua politikane në vendin tonë. Ajo duhet të jetë disafish më e përgatitur, më e zonja dhe më këmbëngulëse në aftësitë e veta që ta marrë atë që një burrë e merr më me lehtësi në shoqëritë maskuliste,’ - thotë Vjollcë Berisha.

Kurse Elmedina Abdulahi thotë se sfida e saj më e madhe ka qenë thyerja e barrierave dhe paragjykimeve që jetojnë në shoqërinë tonë, gjinia nuk dikton profesionalizëm, ajo mendon që është koha që njëherë e përgjithmonë të flasin punët tona më zëshëm se sa vet ne. ‘Dua të dëshmoj që politika nuk njeh gjini por vetëm punë. Si sfidë tjetër do të konsideroja mënyrën e politikbërjes, politika është e ndyrë, por më të ndyrë e bëjnë njerëzit që qëllim kanë përfitimet personale dhe jo ato kolektive, mirëpo kur punon pa ndonjë prapavijë dhe përkushtim të gjitha këto njësohen me zero.’

Por si të rritet përfaqësimi I grave në politikë? Cila është rruga e duhur që ky proces të zhvillohet me hapa të mëdha dhe efektiv? Elmedina thotë se duhet që partitë politike por jo vetëm, të krijojnë mjedise gjithëpërfshirëse dhe mundësi që gratë të ndjehen të motivuara, rrjetëzim dhe mundësi për të menaxhuar poste me peshë publike për të treguar që gratë janë të afta për të bërë një punë të tillë duke dëshmuar profesionalizëm dhe korrektësi.

Ne në listën tonë e konsiderojmë gjininë femërore si shtylla më e fortë që e kemi, ku theks të veçantë kemi në fuqizimin dhe mbështetjen e grave tona, të cilat janë kyç në të gjithë vendimet që merren brenda nesh, po ashtu sigurohemi të kemi përfaqësim të barabartë edhe në publik, posaçërisht duke i marrë parasysh sfidat e ndryshme me të cilat përballemi, ku kjo na ka bërë të jemi më vigjilent ndaj përkrahjes dhe fuqizimit të gruas. Poashtu një formë tjetër që do të rriste përfaqësimin e grave në politikë në pozita më të larta ekzekutive dhe vendimmarrëse do të ishte vendosja e kuotave edhe për këto pozita, përkrah kuotës ekzistuese për lista për këshilltarë komunash dhe kandidat për deputet.’

Vjollcë Berisha si kryetare e Ansamblesë së gruasë pyetjes se si mund të rritet përfaqësimi I gruas në politikë I përgjigjet kështu: ‘Respektim të rreptë të statuteve partiake që deklarativisht e parashohin përfaqësimin e drejtë të gruas, qoftë edhe në nivel kuotash të 30 a 40 përqindëshi fillimisht. E ajo më kryesorja është pjesëmarrja dhe mosabstenimi i vetë grave me potencial për t’u marrë me politikë, për t’u ballafaquar kur e do rasti edhe me ndonjë dhunë verbal, për ta prishur zonën e rehatisë personale për të mirën e përgjithshme, në mënyrë që të kemi sa më shumë gra mirëfilli të formuara brenda strukturave politike, pasi kjo paraqet motivin kryesor të zgjerimit të vazhdueshëm të rrethit të grave të angazhuara politikisht’.

Arbëresha Vlashi, kryetare e sapo zgjedhur e Këshillit Komunal në Strugë thotë se sfida kryesore rezulton të jenë të karakterit kulturorë. Pritshmëritë që masa e madhe kanë krijuar ndaj grave është se vlerat tradicionale formësojnë praktikat shoqërore, që përgjegjësitë për familjen ua atribuojnë grave, duke i mbajtur ato përgjegjëse për sferën private. Kjo pritshmëri e shoqërisë e vështirëson zhvillimin e vullnetit tek gratë për tu kyçur në politikë. Atributi I vendimarrjes në shoqërinë tonë u adresohet meshkujve dhe kjo në mënyrë indirekte të demoralizon për të qenë pjesë e skenës politike. 

‘Partitë politike duhet seriozisht të krijojnë politika dhe strategji të cilat do të bazohen në barazinë gjinore. Në shumicën e rasteve partitë politike bazohen vetëm në arritjet e rasteve indivuduale të pozicionimit të disa grave në disa vende të caktuara udhëheqëse. Ashtu siç janë paraparë kuota për përfaqësimin politik të grave gjatë proceseve zgjedhore (parlament dhe në këshillat komunal), të njejtat kouta duhet të vendosen edhe për vendosjen e grave në pozita udhëheqëse edhe në ekzekutiv.’-thekson Abrëresha Vlashi.

Konventa për t’i dhënë Fund Diskriminimit Ndaj Grave (CEDAW-Convention on the Elimination of All Forms of Discrimination Against Women) u bën thirrje shteteve nënshkruese që të sigurojnë të drejtën e barabartë të grave për të qenë të pranueshme dhe për të mbajtur poste publike. Në Rezolutën e 2012-ës për Gratë dhe Pjesëmarrjen Politike, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bëri thirrje tek të gjitha shteteve që të: “ inkurajojnë fuqishëm partitë politike që të largojnë të gjitha pengesat të cilat drejtpërdrejt apo tërthorazi diskriminojnë pjesëmarrjen e grave, të zhvillojnë kapacitetet e tyre për të analizuar çështjet nga një perspektivë gjinore, dhe të miratojnë politika për të përkrahur aftësitë e grave që të marrin pjesë plotësisht në të gjitha nivelet e vendim-marrjes brenda partive politike.”

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in