Valmira Berisha studente e verbër por ekselente

February 24, 2020

|

Language:Albanian

Valmira Berisha studente e verbër por ekselente

Shkruajnë: Dorina Ajdini, Ardi Zhuta

‘’Njerëzit nuk shikojnë me sy, por me mendje’’, kjo është teoria që ka ndjekur Valmira Berisha gjatë gjithë jetës së saj prej kur u diagnostikua me ‘Retino Patio Mentosa’, një sëmundje që të humb shikimin. Ajo, vëllai i saj dhe motra më e vogël janë pjesëtarët e familjes 6 anëtareshe nga Prizreni që janë prekur nga verbërimi i pjesshëm, por kjo nuk i ndalon që të vazhdojnë jetën normalisht. Valmira Berisha është një vajzë plot energji që humbja e pjesshme e shikimit nuk e ka përulur, përkundrazi ajo lufton që e ardhmja e saj të jetë plot dritë, duke studiuar që një ditë të jetë dikush në jetë dhe të ketë mundësi ta kurojë veten, motrën dhe vëllain e saj pa ju bërë barrë familjes. Deri më tani ajo ka humbur 80% të shikimit, ndërsa i vëllai i saj, ka humbur gjithë shikimin nga mos pasja e barërave të duhur. Përkundër faktit që Valmira është shpallur si një nga nxënëset më të mira, duke përfunduar shkollën e lartë në kohë rekord, është përfshirë në mësime për integrimin e personave me nevoja të veçanta, gjendja ekonomike e familjes nuk mundëson që të bëj trajtime të vazhdueshme që ka kjo sëmundje si për të ashtu edhe për motrën e vogël dhe për vëllain. Vëllai i saj ka humbur plotësisht shikimin pikërisht për këtë fakt, pasi barnat dhe trajtimet jashtë shtetit kushtojnë shumë dhe kjo familje duhet të heqë dorë ndonjëherë edhe nga gjërat bazë të jetesës, për të siguruar shikimin e fëmijëve të tyre. Por, as ky fakt nuk e dorëzon Valmirën, ajo e di që do vijë një ditë ku do të punojë fort për të mbuluar gjitha shpenzimet. Por, si nisi e gjitha kjo? Si e përballoi faktin që shikimi i saj nuk do ishte si i gjithë të tjerëve? Valmira tregon ndjesinë e tmerrshme që ndjeu kur e kuptoi që jeta e saj do të ndryshonte. Por, a do të ishte për mirë apo keq, e vendosi vetë ajo!

Na tregoni pak për sëmundjen që keni dhe momentin e parë që e zbuluat, si u ndiet?

– Lloji i sëmundjes është “Retino Patia Mentosa”, është një sëmundje me të vërtetë e rëndë. Të flas për ndjenjat e atëhershme është me të vërtetë e papërshkrueshme, po ti shpjegoj ato me gojë nuk i kupton askush, por vetëm unë e di si i kam përjetuar. Momenti kur i kam përjetuar këto ndjenja, kam menduar që gjithë ëndrrat e mia janë shuar, por për një periudhë shumë të shkurtë e kam ndryshuar mendimin dhe qasjen ndaj kësaj situate, kam thënë që jetën, punën dhe veprimtarinë nuk do t’ia dorëzoj këtij rasti apo sëmundjes dhe kështu që kam vazhduar përpara.

A ndryshoi sjellja e familjes apo shoqërisë pas këtij momenti?

Për fat të mirë sjellja e familjes nuk ka ndryshuar dhe ne sillemi njëjtë me të gjithë. Në fillim kishte fjalë jo të mira nga njerëzit rreth e rrotull, mirëpo ne nuk e kemi lejuar që të viktimozohemi dhe jemi integruar në shoqëri. E gjitha kjo ka ndikuar pozitivisht.

Si e gjen veten nëpër qytet, a ju shoqëron dikush? – Mundem me thënë që realisht nëpër qytet, 95% të rasteve gjendem vet edhe pse fatmirësisht njerëzit nuk shohin me sy por shikojnë me mendje, njeriu duhet të krijojë një hartë vizuale në kokën e tij me qëllim që të ketë qasje dhe zakonisht mund ta potencoj këtë me shumë bindje dhe kënaqësi se personat e verbër pësojnë një sëmundje më të lehtë krahasuar me ato me aftësi të veçanta se ata gjithë punët mund ti kryejnë vet, mund ti qasemi ambientit të punës, jetës, vetëm po patëm vullnet, kështu që unë i qasem vetë. Ka raste të caktuara për shembull që edhe mua më shoqërojnë deri diku prindërit apo shoqja apo dikush tjetër, por këto janë raste më të rralla pasi unë përpiqem që të gjendem vet.

A ka pasur ndonjë moment kur jeni fyer ose dikush nuk ju ka kuptuar? – Fyerje aty këtu, sidomos unë më shumë jam ndjerë e fyer në rastet kur profesorët kanë dashur të na mohojnë të drejtën që ne të pyetemi apo diçka e tillë, të them të vërtetën që jam ndier ekstremisht e thyer dhe e lodhur dhe për këtë kjo më ka bërë që të ndjehem keq. Rastet më të këqija kanë qenë të profesorëve.

Por përkundër këtyre profesorëve ka pasur dhe nga ato që dalëngadalë e kanë inkuadruar Valmirën dhe vëllain e saj në mësime, duke e bërë pjesë aktive në përgjigje apo aktivitete të ndryshme. Valmira Berisha nuk u tërhoq nga mësimi edhe pse ajo kishte vështirë në të lexuar madje u shpall edhe studentja më e mirë pasi mbaroi shkollën e lartë në drejtësi për të vazhduar më pas në masterin për Psikologji.

Ti shquhesh si një student ekselente, si ia dole dhe cila ishte mënyra e të mësuarit? – Mënyra e studimit ka qenë shumë interesante, se gjitha materialet apo leksionet që kemi pasur nevojë ti mësojmë ato i ka marrë nëna, i ka lexuar, i ka inçizuar, pastaj nëna të gjitha ato i ka konvertuar në CD të ndryshme, kështu që kam mësuar me llap top. Pasi që nuk kemi pasur kushte në atë kohë, jemi detyruar që unë dhe vëllai im të mësojmë me një llaptop, duke i ndarë dëgjueset bashkë. Ke pasur padrejtësi ose favorizime nga profesorët? – Gjatë studimeve kemi hasur në vështirësi, si neglizhenca e profesorëve, paragjykimet e tyre se ne jemi ndryshe nga të tjerët dhe nuk kemi aftësi të mjaftueshme që të përgjigjemi për provime. Por, nuk duhet anashkaluar edhe profesorët të cilët na kanë dhënë çdo mundësi që ne të përgjigjemi dhe asnjëherë nuk janë zhgënjyer.

Sa janë të duhura trajtimet në spitalet e Kosovës sa i përket sëmundjes tënde?

– Kurimet që janë më të domosdoshme zakonisht bëhen jashtë shtetit, por në Turqi, mund të kurohemi me një çmim më të volitshëm se sa në vende të ndryshme të Evropës, këtë e përmenda se ne vazhdimisht jemi në përcjelle e sipër të kësaj sëmundje.

Ilaçet e nevojshme a kushtojnë shumë dhe ku i gjeni?

– Sa i përket ilaçeve, ne vazhdimisht marrim ilaçe sidomos vitamina A, vitamina që i parasheh mjeku që ti kemi vazhdimisht sepse nuk mundet që nëpërmjet ushqimeve normale ti marrim ato. Ilaçet kushtojnë shumë! Është e lehtë deri diku ti gjejmë por, përpiqemi vazhdimisht dhe asnjëherë nuk jemi dorëzuar. Edhe ato mjete financiare që i marrim, shumicën i shfrytëzojmë për mjekim, kurim dhe ilaçe dhe kjo e bën që ne të mos mund të jetojmë një jetë luksoze apo një jetë qoftë normale.

A ka shpresë për shërim të plotë?

– Sëmundja jonë me të vërtetë kërkon kurim apo mjekim të vazhdueshëm si për shembull duhet të përcillet gjendja ose situata që të mos thahen enët e gjakut të cilat te ne ngushtohen fatkeqësisht dhe kështu që ne duhet ti rrimë çdo moment gati dhe ti mjekojmë. Për fat të keq mundësitë janë shumë të vogla që ne ti përcjellim këto mjekime dhe si pasojë e kësaj, vëllai i vogël ka humbur tërësisht shikimin! Unë mundohem që me kursimet e mia të mbuloj pjesën më të madhe te këtyre shpenzimeve, mirëpo sërish nuk mund ti arrijë të gjitha pasi përshkak të trajtimeve të vazhdueshme, shuma financiare rritet dhe ndonjëherë për ne bëhet e pamundur ta mbulojmë.

Forca e Valmirës vazhdon të mbizotërojë pasi ajo ka vendosur ta çoj deri në fund misionin e saj. Valmira kërkon që autoritetet shtetërore të krijojnë disa kushte specifike për të dhe jo të veçanta pasi sipas saj kjo do ti diferencojë të gjithë njerëzit më nevoja të veçanta dhe do ti largojë nga pjesa tjetër e shoqërisë. Valmira, po ashtu kërkon nga Institucionet shtetërore të Kosovës që të punësojnë njerëz me aftësi të veçanta për tu integruar në shoqëri.

‘’Realisht unë them që për personat me nevoja të veçanta ose aftësi të kufizuara shteti duhet të krijojë kushte të përshtatshme, por e cek të përshtatshme jo të posaçme, po them jo të posaçme se ata nuk janë njerëz të veçantë apo jashtë-tokësorë, ata duhet të përballen d.m.th. duhet të sistematizohen në jetë, të integrohen në jetë ashtu sikurse çdo qytetar tjetër i çdo shteti dhe kështu që atyre duhet ti krijohen disa kushte paksa me specifike, që ata të mund ti qasen. Për shembull, nëse unë nuk mundem të lexojë mund të ma krijojnë një kusht që unë ti lexoj ato me dëgjim për mua nuk ka vështirë, ose nëse një person I verbër nuk mund të ecë atij ti mësohet orientimi në hapësirë’’-thotë Valmira.

Valmira Berisha e cila tashmë ka publikuar edhe disa këngë në Youtube jep një mesazh të fortë për të gjithë ato që janë prekur nga sëmundje të ndryshme jo vetëm humbja e shikimit, që të mos dorëzohen dhe të mos e fshehin sëmundjen që kanë. “Asnjëherë mos të dorëzohemi në rast se hasim në ndonjë pengesë. Njerëzit pavarësisht fjalëve negative që mund ti hasin në sfera të ndryshme të jetës, duhet që të krijojnë mundësi nga vetvetja sepse çdo njeri pavarësisht problemit të tij ata nëse duan munden t’ia dalin drejt synimit që duan. Asnjëherë mos gjykoni për njerëzit që kanë ndonjë të metë, ose ndonjë problem, sepse edhe këta persona dëshirojnë të jetojnë , dëshirojnë të kontribuojnë, dëshirojnë të jenë të barabartë me të tjerët, të mos shihen me një sy tjetër dhe të jenë nëpër vendet të cilat ata i meritojnë!”, thotë Valmira.

Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.

This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

About the Authors

Published in